Historia e “Kullës 22”, vendit ku u vranë forcat amerikane në Jordani
Tre ushtarë amerikanë u vranë dhe dhjetëra të tjerë u plagosën pasi një dron goditi një post ushtarak në Jordani, i njohur si Kulla 22. Presidenti amerikan, Joe Biden, për këtë sulm fajësoi grupet militante të mbështetura nga Irani. Zyrtarët iranianë i cilësuan si “të pabaza” pretendimet e SHBA-së, duke mohuar përfshirjen në këtë sulm.…
Bota
Tre ushtarë amerikanë u vranë dhe dhjetëra të tjerë u plagosën pasi një dron goditi një post ushtarak në Jordani, i njohur si Kulla 22.
Presidenti amerikan, Joe Biden, për këtë sulm fajësoi grupet militante të mbështetura nga Irani. Zyrtarët iranianë i cilësuan si “të pabaza” pretendimet e SHBA-së, duke mohuar përfshirjen në këtë sulm.
Në këtë artikull mund të mësoni se çfarë dihet për këtë bazë ushtarake.
Lokacioni
Kulla 22 gjendet në një vendndodhje të rëndësishme strategjike në Jordani. Kjo kullë gjendet në skajin më verilindor të Jordanisë, në kufirin e këtij shteti me Sirinë dhe Irakun.
Qëllimi
Ka pak informacione publike për këtë bazë. Por, aty përfshihet mbështetja logjistike dhe në të janë të vendosur 350 trupa të Ushtrisë Amerikane dhe të Forcave Ajrore.
Kulla 22 është afër garnizonit Al Tanf, që gjendet përgjatë kufirit me Sirinë. Në të janë të vendosura një numër i vogël i trupave amerikane. Tanfi ka qenë kyç në luftën kundër grupit militant, Shteti Islamik, dhe ka marrë një rol si pjesë e një strategjie të Shteteve të Bashkuara për të frenuar ngritjen ushtarake të Iranit në Sirinë lindore.
Kulla 22 gjendet afër trupave amerikane në Tanf, saqë mund të ndihmojë në mbështetjen e tyre, dhe në të njëjtën kohë të zmbrapsë militantët në këtë zonë, që mbështeten nga Irani, dhe t’iu mundësojë trupave amerikane që të luftojnë kundër militantëve të mbetur të IS-it në rajon.
Trupat amerikane në Jordani
Ushtria e Jordanisë është një prej ushtrive që merr më së shumti financim ushtarak që Uashingtoni jep për ushtritë e huaja.
Mbretëria e Jordanisë ka qindra trajnues amerikanë dhe është një prej aleateve të pakta rajonale që zhvillon stërvitje të gjera ushtarake me trupat amerikane përgjatë vitit.
Që nga nisja e konfliktit në Siri më 2011, Uashingtoni ka shpenzuar qindra miliona dollarë për të ndihmuar Amanin që të ndërtojë një sistem të vëzhgimit, i njohur si Programi i Sigurisë Kufitare. Ky program synon të frenojë infiltrimin e militantëve nga Siria dhe Iraku.
Shumë të panjohura
Është e paqartë se çfarë lloje armësh mbahen në këtë bazë, se çfarë sisteme të mbrojtjes ajrore përdoren dhe çfarë shkoi keq gjatë sulmit ndaj trupave amerikane.