Rebelët e Huthit e sulmojnë me raketë luftanijen amerikane në Gjirin e Adenit
Rebelët e grupit jemenas, Huthi, e sulmuan me raketë të premten një luftanije amerikane, e cila ishte duke patrulluar në Gjirin e Adenit, duke e detyruar atë ta rrëzojë raketën, thanë zyrtarët ushtarakë amerikanë të premten. Sulmi ndaj anijes amerikane, USS Carney, shënon përshkallëzimin e konfrontimit më të madh në det ku është përfshirë edhe…
Bota
Rebelët e grupit jemenas, Huthi, e sulmuan me raketë të premten një luftanije amerikane, e cila ishte duke patrulluar në Gjirin e Adenit, duke e detyruar atë ta rrëzojë raketën, thanë zyrtarët ushtarakë amerikanë të premten.
Sulmi ndaj anijes amerikane, USS Carney, shënon përshkallëzimin e konfrontimit më të madh në det ku është përfshirë edhe marina amerikane në Lindjen e Mesme në dekada.
Kjo gjithashtu është hera e parë që huthët e sulmojnë drejtpërdrejt një luftanije amerikane prej se i filluan sulmet ndaj anijeve në tetor, tha një zyrtar amerikan për Associated Press në kushte anonime, pasi nuk ishte i autorizuar të fliste për incidentin.
Por, Komanda Qendrore e ushtrisë amerikane tha se huthët e shkrepën raketën “në drejtim” të luftanijes së saj. Sikur në sulmet e kaluara, Pentagoni tha edhe tani se ishte e vështirë të përcaktohej se kë po përpiqeshin ta godisnin saktësisht rebelët e grupit jemenas.
Prej se filloi lufta e Izrael-Hamas, SHBA-ja është përpjekur ta zbusë përshkrimin e sulmeve që kanë për cak bazat dhe luftanijet e saj, në tentim për ta parandaluar zgjerimin e konfliktit në një luftë të gjerë rajonale, transmeton lajmi.net.
Është e rëndësishme të pranohet se sulmi i së premtes ndaj luftanijes amerikane ishte i drejtpërdrejtë, tha Brad Bowman, drejtor i lartë në Fondacionin për Mbrojtjen e Demokracive.
“Ata më në fund po e quajnë lopatën, lopatë, dhe po thonë se, po, ata po tentojnë t’i sulmojnë forcat tona, ata po përpiqen të na vrasin”, tha Bowman.
“Zbutja e gjuhës, megjithëse me qëllim për ta parandaluar zgjerimin e luftës, ka pasur ndikim të kundërt, duke u dhënë mundësi huthëve”, shtoi ai.
Në sulmin e së premtes, një raketë balistike anti-anije iu afrua luftanijes USS Carney, e cila është përfshirë në operacionet amerikane në përpjekje për ta ndaluar fushatën e huthëve prej nëntorit, tha Komanda Qendrore.
“Raketa u rrëzua me sukses nga USS Carney”, tha Komanda Qendrore.
Nuk u raportua për të lënduar apo dëme, shtoi ajo.
Rebelët e Huthit, të cilët mbështeten nga Irani, thonë se sulmet në ngushticën jetike të transportit të mallrave përmes Detit të Kuq po bëhen ndaj anijeve të ndërlidhura me Izraelin, si përgjigje ndaj luftës në Rripin e Gazës.
Shtetet e Bashkuara dhe Britania e Madhe e kanë nisur një fushatë bombardimesh ndaj caqeve të grupit Huthi në Jemen, në përpjekje për t’i ndalur sulmet e tyre ndaj anijeve tregtare në Detin e Kuq.