“Mendoj pak më ndryshe”, Bali Muharremaj i reagon Alban Hysenit që ironizoi me të për stadiumin

Kryetari i komunës së Suharekës, Bali Muharremaj i është kundërpërgjigjur kryetarit të komunës së Gjilanit, Alban Hysenit, pasi ky i fundit ironizoi lidhur me projektin e stadiumit. Hyseni në shtator kishte ironizuar me kryetarin e Suharekës, Bali Muharremaj, duke thënë se edhe Gjilani do të ketë stadium “me kapacitet prej mbi 50.000 persona”, derisa me…

Lajme

05/01/2024 14:24

Kryetari i komunës së Suharekës, Bali Muharremaj i është kundërpërgjigjur kryetarit të komunës së Gjilanit, Alban Hysenit, pasi ky i fundit ironizoi lidhur me projektin e stadiumit.

Hyseni në shtator kishte ironizuar me kryetarin e Suharekës, Bali Muharremaj, duke thënë se edhe Gjilani do të ketë stadium “me kapacitet prej mbi 50.000 persona”, derisa me ironi kishte prezantuar një fotografi të një stadiumi gjigant, me jahte anash pranë detit.

Muharremaj për lajmi.net ka thënë se nuk ka nevojë të ironizohet duke ka shtuar se dëshira e tij është që çdo qytet ta ketë stadiumin e tij.

“Dëshira e madhe ta ketë qyteti i Suharekës stadiumin, ta ketë edhe Gjilani e Mitrovica. Unë nuk mendoj ashtu, mendoj pak më ndryshe. Dëshiroj që çdo qytet të ketë stadium, qëllimi kryesor është i mirë, pra bëhet grumbullimi i të rinjve. Pra nuk kemi nevojë me ironizu sepse Ballkani është në Superligë e ka marrë pjesë edhe në gara evropiane”, ka thënë Muharremaj për lajmi.net.

Tutje ai ka shtuar se komuna ka dorëzuar projektin ideor në Ministrinë e Kulturës, porse pa ndihmën e saj nuk mund të bëhet stadiumi.

“Në rend të parë është shumë me rëndësi që të luhen lojtë në Suharekë, pasi që bëhet një grumbullim i të rinjve, shumë më mirë që të rinjtë t’i orientojmë kah sporti e kah kultura e jo nga dukuritë negative”

“Unë e kam parim në jetë mos m’u anku asnjëherë, ashtu e kam natyrë. Ne e kemi bë një kërkesë në Ministri të Kulturës, kemi dorëzu lokacionin 16 hektarë vend që është e paraparë në harta zonale dhe plan zhvillimor. Kemi dorëzu edhe një projekt ideor, po e presim Ministrinë e Kulturës pasi si komunë jemi e vogël, nuk kemi kapacitete me ndërtu stadium. Ai stadium në të ardhmen mund të ketë nevojë edhe për Prizren e për rrethinë”.

“Ne jemi tënë momentin që i kemi mjetet financiare të nisim ndërtimin”, ka thënë Muharremaj për lajmi.net.