Situata në veri dhe sanksionet e BE’së mesazh i keq për investitorët që duan të vinë në Kosovë
Situata e pafavorshme politike, sanksionet e Bashkimit Evropian (BE) e tensionet në veri e karakterizuan vitin 2023. Gjithë këto zhvillime sipas ekspertëve të ekonomisë, bënë që ky sektorë të pësojë goditjen më të madhe ndonjëherë. Ata i thanë Ekonomia Online se institucionet duhet të fokusohen në përmirësimin e imazhit. Kryetari Odës Ekonomike të Kosovës (OEK),…
Lajme
Situata e pafavorshme politike, sanksionet e Bashkimit Evropian (BE) e tensionet në veri e karakterizuan vitin 2023. Gjithë këto zhvillime sipas ekspertëve të ekonomisë, bënë që ky sektorë të pësojë goditjen më të madhe ndonjëherë. Ata i thanë Ekonomia Online se institucionet duhet të fokusohen në përmirësimin e imazhit.
Kryetari Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Lulzim Rafuna, tha se sanksionet e vendosura nga Bashkimi Evropian dhe tensionet e fundit në veriun e vendit, kanë bërë që të tërhiqet një investitor, duke e shtyrë vizitën një datë tjetër.
Për të parin e Odës Ekonomike, rëndësi të madhe vazhdon të ketë përmirësimi i imazhit të vendit në mediet ndërkombëtare, të cilat sipas tij, nuk japin mesazhe suksesi për Kosovën.
“Ne si Odë e Ekonomisë jemi munduar që Kosovën ta prezantojmë si ambient të mirë për biznes në mediat botërore dhe jemi duke shfrytëzuar udhëheqjen e Odave të Ballkanit perëndimor për promovime. Edhe me Odat ekonomike të BE-së kemi arritur t’i mbajmë mbi 17 organizime. I fundit ishte kur i patëm mbi 100 kompani prezentë në Kosovë prej Turqisë”, deklaroi Rafuna.
Agim Shahini, kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), u shpreh se në një shtet ku ka sanksione, investitorë të huaj nuk ka. Ai përmendi raportet në të cilat thuhet se rreth 26 mijë qytetarë jetojnë me skema sociale.
“Me sanksione është duke iu dëmtuar imazhi i vendit duke sjellë mosnjohje politike. Po ashtu Kosova nuk është anëtarësuar në asnjë organizatë ndërkombëtare dhe këto janë pasojë e dobësimit të politikës së jashtme të Kosovës ndaj partnerëve ndërkombëtar”, deklaroi Shahini.
“Po dëgjoj se Qeveria po lavdërohet me buxhetin 2024 si më i madhi në histori, kjo është e vërtetë, madje edhe për vitin tjetër do jetë histori, për shkak se po rritemi vazhdimisht”.
“Mirëpo ky është buxheti më i vogël për kokë banori, më e ulëta në Ballkan, më e ulët se Shqipëria, Serbia, Maqedonia, Bosnja dhe se krejt vendet tjera në Ballkan andaj Kosova rezulton vendi më i varfër”.
E për ish-kryetarin e Odës Ekonomike, Safet Gërxhaliun, problemet e fundit duhet analizuar në përmasa të gjera dhe se politikanët duhet të luftojnë për shtet e qytetarë dhe jo gjithmonë për pushtet.
“Ajo çka është duke ndodhur viteve të fundit është një mjerim që ka katandisur Kosovën, por besoj që efekti i masave do të reflektohet dhe do jetë një goditje e madhe për imazhin e Kosovës, është fakt që në Kosovë përfundimisht opozita është inerte dhe është fati i Qeverisë Kurti që ai nuk e ka një Albin Kurti në opozitë”, ka deklaruar Gërxhaliu.
Tutje, ai thotë se duhet të përdoren miqtë ndërkombëtar ose forma tjera për heqjen e sanksioneve, ngase sipas tij, edhe diaspora do të jetë skeptike për të investuar.
“Mospërfundimi i dialogut dhe loja me fjalë mes Kosovës dhe Serbisë do të bartet edhe në vitin 2024, një sfidë tjetër por fati i Kosovës që ka një komunitet mjaftë fleksibil i cili ka kaluar plotë sfida dhe besoj do të depërtoj por është koha kur duhet të ndërroj qasja Qeveri-biznes”./EO