Vdekja e trajnerit 33-vjeçar, reagon edhe FBK

Federata e Basketbollit e Kosovës ka reaguar pas vdekjes së trajnerit Ilmen Bajra në moshën 33-vjeçare. Lajmin për vdekjen e të ndjerit Bajra e ka konfirmuar njëri nga klubet në të cilin punoi, KB Prizreni, shkruan lajmi.net. Shtëpia e basketbollit në Kosovë është shprehur e pikëlluar me lajmin e kobshëm për vdekjen e Ilmen Bajrës.…

Sport

20/12/2023 12:19

Federata e Basketbollit e Kosovës ka reaguar pas vdekjes së trajnerit Ilmen Bajra në moshën 33-vjeçare.

Lajmin për vdekjen e të ndjerit Bajra e ka konfirmuar njëri nga klubet në të cilin punoi, KB Prizreni, shkruan lajmi.net.

Shtëpia e basketbollit në Kosovë është shprehur e pikëlluar me lajmin e kobshëm për vdekjen e Ilmen Bajrës.

REAGIMI I PLOTË:

E nderuara Familja Bajra

I dashur komunitet i basketbollit,

Me zemër të thyer e pikëllim të thellë morëm lajmin për ndarjen nga jeta të të dashurit tuaj e pjesëtarit të komunitetit tonë – Illmenit.

Illmenin do ta kujtojmë gjithmonë si një njeri të afërt e të dashur, si një punëtor të madh dhe një person të apasionuar pas sportit të zemrës sonë, të cilit ia ka kushtuar tërë karrierën e tij profesionale. Bajra ishte bashkëpunues me kolegët, me lojtarët dhe lojtaret, si dhe me të gjithë bashkëpunëtorët, ndaj të cilëve tregonte shumë respekt e dashuri. Jam i bindur që ikja e parakohshme e tij në amshim e ka shokuar tërë komunitetin e basketbollit në vend, ashtu siç më shokoi mua dhe kolegët në Federatën e Basketbollit të Kosovës. Përkundër lajmeve të rënda që po merrnim tash e sa ditë nga familja Bajra për gjendjen e tij, ne vazhdonim të shpresojmë se zemra e madhe prej sportisti e Illmenit do ta përballonte edhe këtë sfidë. Për fat të keq, sot ajo që druanim më së shumti, u bë realitet.

E di që Illmeni ka lënë gjurmë kudo që ka kaluar si individ dhe profesionist, me një karrierë të bujshme përkundër moshës së re, dhe jam i bindur njerëzia, afërsia, respekti, mentaliteti i fituesit dhe dashuria që e ka shprehur për lojën do të mbahet mend gjatë nga të gjithë njerëzit dhe klubet ku ai ka punuar, si trajner i Bashkimit te meshkujt dhe femrat, si ndihmëstrajner te Prishtina, Prizreni e Rahoveci, por edhe në skuadrën gjermane të cilën po e udhëhiqte në momentin kur u godit nga sëmundja mizore – Bad Homburg Falcons.

Federata e Basketbollit të Kosovës humbi një bashkëpunëtor të zellshëm dhe një pjesëtar të respektuar dhe me perspektivë të komunitetit të basketbollit, ish-përzgjedhësin e përfaqësueses së femrave U18 dhe ish-ndihmëstrajnerin e kombëtares A, ndërsa ne që e njohëm për së afërmi e humbëm një mik të mirë, një djalë të vyer e familjar të dashur.

Në emrin tim personal dhe të Federatës së Basketbollit të Kosovës dua të shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjen Bajra dhe gjithë komunitetin e basketbollit.

Me Respekt,

Arben Fetahu,

Kryetar i FBK-së./Lajmi.net/