“Supermeni i VV-së”: Alban Krasniqi që punon në bordin e Trepçës, emërohet edhe në bordin e KEK-ut
Alban Krasniqi, i cili ushtron detyrën e anëtarit të bordit në Ndërmarrjen Publike Qendrore “Trepça”, para rreth tri jave ka marrë edhe një pozitë të ngjashme, në një ndërmarrje tjetër. Ai është emëruar edhe ushtrues detyre i Sekretarit të Bordit në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK), raporton “Betimi për Drejtësi”. Krasniqi, ish-kandidat për ansamble komunale…
Lajme
Alban Krasniqi, i cili ushtron detyrën e anëtarit të bordit në Ndërmarrjen Publike Qendrore “Trepça”, para rreth tri jave ka marrë edhe një pozitë të ngjashme, në një ndërmarrje tjetër.
Ai është emëruar edhe ushtrues detyre i Sekretarit të Bordit në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK), raporton “Betimi për Drejtësi”.
Krasniqi, ish-kandidat për ansamble komunale të Vushtrrisë në zgjedhjet e 2017-ës, në pozitën e anëtarit të Bordit të “Trepçës” ishte emëruar nga Qeveria e Kosovës në vitin 2021.
Të kontaktuar nga “Betimi për Drejtësi”, Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit (APK), kanë thënë se ushtrimi i këtyre dy funksioneve nuk është konflikt interesi, sipas Ligji për Parandalimin e Konfliktit të Interesit.
“Me dispozitat e Ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit, “zyrtarit të lartë nuk i ndalohet që të ushtrojë njëkohësisht edhe funksionin e anëtarit të Bordit në një Ndërmarrje”, kanë thënë APK-ja për “Betimi për Drejtësi”.
Por sipas kësaj Agjencie, ky ligj parasheh disa kufizime rreth pagës.
“Zyrtari i lartë, në cilësinë e anëtarit të organeve të përmendura në këtë paragraf, nuk ka të drejtë shpërblimi me pagesë, përveç të drejtës në kompensimin e shpenzimeve të udhëtimit dhe shpenzimeve të tjera të lidhura me të”, shpjegon APK.
Sipas Agjencisë, Alban Krasniqi mund të ushtrojë këto dy pozita, por pagë mund të marrë vetëm për pozitën e sekretarit të Bordit të Ndërmarrjes Publike në KEK.
I kontaktuar nga “Betimi për Drejtësi”, Krasniqi ka refuzuar të komentojë lidhur me këto dy pozita që po i mban në të njëjtën kohë.
Krasniqi është zgjedhur sekretar i Bordit të KEK-ut, pas shkarkimit të Riza Dembogaj. Ndërsa, ky i fundit detyrën e Sekretarit të Bordit në KEK e kishte pranuar në nëntor të vitit 2022.
Ushtruesi i detyrës së kryeshefit ekzekutiv të ndërmarrjes “Trepça”, Enis Abdurrahmani i kontaktuar nga “Betimi për Drejtësi”, përmes telefonit tha se “Trepça vazhdon t’i ketë borxh KEK-ut, ani pse deri tani “90% të borxhit”, tashmë kanë arritur ta paguajnë”.
Ndryshe, në fund të muajit tetor dhe në fillim të nëntorit të këtij viti, punëtorët e “Trepçës” hynë në grevë urie duke kërkuar mos vonesa në paga, shkarkim të menaxheri të Ndërmarrjes “Trepça”, sigurim shëndetësor dhe plotësimi të kushteve për punë.
Kjo grevë u ndërpre pas 10 ditësh, pasi që minatorët patën një takim me disa deputetë të pozitës, përfaqësues të Bordit të Ndërmarrjes “Trepça” dhe Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, ku edhe kanë marrë zotime për realizimin e kërkesave të tyre.