Aktakuzë ndaj 27 personave në Gjermani, dyshohet se planifikonin grushtshtet

Prokurorët gjermanë kanë ngritur aktakuzë ndaj 27 ekstremistëve të ekstremit të djathtë, të dyshuar për planifikimin e një grushtshteti të dhunshëm. Të dyshuarit akuzohen për anëtarësim në lëvizjen ekstreme Reichsbürger – ose Qytetarët e Rajhut, shkruan BBC, transmeton lajmi.net. “Anëtarët e grupit kundërshtuan me forcë institucionet shtetërore dhe rendin e lirë kushtetues demokratik”, thuhet në…

Bota

12/12/2023 18:04

Prokurorët gjermanë kanë ngritur aktakuzë ndaj 27 ekstremistëve të ekstremit të djathtë, të dyshuar për planifikimin e një grushtshteti të dhunshëm.

Të dyshuarit akuzohen për anëtarësim në lëvizjen ekstreme Reichsbürger – ose Qytetarët e Rajhut, shkruan BBC, transmeton lajmi.net.

“Anëtarët e grupit kundërshtuan me forcë institucionet shtetërore dhe rendin e lirë kushtetues demokratik”, thuhet në aktakuzë.

Ata janë kryesisht bashkëpunëtorë të Heinrich XIII, Princi i Reuss, një figurë e Reichsbürger nga një familje aristokrate.

Prokurorët kanë akuzuar 27 personat për planifikim të përmbysjes së sistemit politik demokratik të Gjermanisë.

Sipas aktakuzës, janë bënë përgatitje konkrete për një grusht shteti duke filluar nga  vera e 2021.

Plani ishte të merrej pushteti duke pushtuar Bundestagun, parlamentin gjerman, me një grup të vogël personeli të armatosur. Sulmi do të niste pas marrjes së një sinjali, siç është vdekja e Mbretëreshës Elizabeth II.

Komplotuesit e supozuar kishin përcaktuar tashmë se si do të funksiononte shteti i tyre i ri pas grushtit të shtetit.

Princi Reuss ishte planifikuar të ishte kreu i shtetit. Me marrjen e detyrës, ai do të negocionte një traktat paqeje me fuqitë aleate që fituan Luftën e Dytë Botërore. Princi Reuss u përpoq të takonte përfaqësuesit e qeverisë ruse për të fituar mbështetje për grushtin e shtetit, sipas prokurorëve.

Birgit Malsack-Winkemann, në atë kohë një anëtare e Bundestagut për partinë e ekstremit të djathtë Alternativa për Gjermaninë, do të ishte bërë ministre e drejtësisë. Prokurorët thanë se ajo u dha qasje në ndërtesat parlamentare bashkëpunëtorëve të tjerë.

Rebelët e mundshëm dyshohet se kanë tentuar të rekrutojnë ushtarë dhe oficerë policie.

Grupi kishte hartuar listat e armiqve. Anëtarët ishin të vetëdijshëm se planet e tyre do të rezultonin në vrasjen e njerëzve, sipas aktakuzës.

Anëtarët u detyruan të nënshkruanin një deklaratë të fshehtësisë. Shkelësit do të ishin ekzekutuar për tradhti të lartë.

Komplotuesit e dyshuar kishin akses në rreth 380 armë zjarri dhe 148,000 fishekë municionesh.

Disa nga të akuzuarit u arrestuan në bastisjet e policisë federale dhjetorin e kaluar.

Sipas Zyrës për Mbrojtjen e Kushtetutës, agjencia e brendshme e inteligjencës gjermane, ka rreth 23,000 ndjekës të lëvizjes Reichsbürger në vend.