Ukraina në fokus të samitit të BE-së
Liderët e Bashkimit Evropian do të takohen në Bruksel më 26 dhe 27 tetor, në samitin që pritet të përsërisin dënimin për luftën e Rusisë kundër Ukrainës dhe të diskutojnë për mbështetjen e bllokut për Kievin, në mes të sinjaleve për lodhjen e disa shteteve anëtare për të ndihmuar për luftën, që është në muajin…
Bota
Liderët e Bashkimit Evropian do të takohen në Bruksel më 26 dhe 27 tetor, në samitin që pritet të përsërisin dënimin për luftën e Rusisë kundër Ukrainës dhe të diskutojnë për mbështetjen e bllokut për Kievin, në mes të sinjaleve për lodhjen e disa shteteve anëtare për të ndihmuar për luftën, që është në muajin e 21-të.
Liderët e 27 shteteve të BE-së po ashtu pritet të riafirmojnë mbështetjen e tyre për “pavarësinë e Ukrainës, sovranitetin dhe integritetin territorial” dhe për “të drejtën e saj për vetëmbrojtje”, thuhet në draft-konkluzat e samitit, dokument që e ka parë Radio Evropa e Lirë.
Dokumenti, që nuk është final dhe duhet të miratohet nga liderët e BE-së, po ashtu riafirmon qëllimin e bllokut që të vazhdojë të ofrojë “mbështetje të fortë financiare, ekonomike, humanitare, ushtarake dhe diplomatike për Ukrainën dhe popullin e saj për aq kohë sa të jetë e nevojshme”.
Në draft-konkluzat po ashtu bëhet thirrje “për ashpërsimin e mëtejmë të sanksioneve” kundër Rusisë për shkak të agresionit dhe do t’i bëjë thirrje Komisionit Evropian “të përshpejtojë punën” mbi propozimet se si të ardhurat që rrjedhin drejtpërdrejtë nga asetet e palëvizshme të Rusisë, mund të drejtohen për të mbështetur Ukrainën dhe për rindërtimin e saj.
Një tjetër temë në agjendën e liderëve të BE-së do të jetë edhe rishikimi i buxhetit afatgjatë të bllokut. Komisioni Evropian po kërkon mbështetje unanime nga vendet anëtare për të rritur buxhetin para vitit të ri, veçanërisht për të vazhduar ndihmën financiare për Ukrainën.
Kievi ka thënë se i duhet ndihma ndërkombëtare për të mbuluar deficitin buxhetor gjatë luftës, përderisa kryeministri ukrainas, Denys Shmyhal, ka deklaruar se Kievit do t’i duhen 42 miliardë euro gjatë vitit të ardhshëm.
Por, për buxhetin ka nevojë që të ketë mbështetje nga të gjitha shtetet anëtare. Hungaria, ku Qeveria e Victor Orbanit vazhdon të mbajë raporte të ngushta me Rusinë, shihet si kundërshtare potenciale për rritjen e ndihmës për Ukrainën.
Sllovakia – që ka zgjedhur një lider populist, ish-kryeministrin Robert Fico – po ashtu mund të kundërshtojë ndihmën për Ukrainën, pasi gjatë fushatës zgjedhore ka kërkuar që të ndërpritet ndihma ushtarake për Ukrainën dhe ka kritikuar sanksionet ndaj Rusisë.
Ukraina tani po aplikon për anëtarësim në BE, por vendimi i liderëve të BE-së se kur do të nisin negociatat formale nuk pritet të merret deri në samitin e radhës në dhjetor.
Po ashtu, në samitin e BE-së do të diskutohet edhe për situatën në Lindjen e Mesme dhe tema të tjera, përfshirë edhe tensionet e fundit mes Kosovës dhe Serbisë – dy shtete që aspirojnë të anëtarësohen në BE.
Në agjendë do të jenë edhe raportet mes Armenisë dhe Azerbajxhanit, pas ofensivës së Bakusë në shtator, përmes së cilës mori kontrollin e Nagorno-Karabakut – rajonit ku jetojnë armenë etnikë.
Liderët e BE-së po ashtu pritet të dënojnë grupin militant palestinez Hamas për “sulmet terroriste dhe brutale” ndaj Izraelit, që kanë lënë të vrarë 1.400 izraelitë. Ata po ashtu pritet të theksojnë të drejtën e Izraelit për të mbrojtur veten. Sipas draft-konkluzave, liderët po ashtu pritet të shprehin shqetësim lidhur me përkeqësimin e situatës humanitare në Gazë dhe të bëjnë thirrje për një “pauzë humanitare” të fushatës së Izraelit në mënyrë që të mund të dërgohen ndihma në këtë territor.