Raportet “llom” me Ramën: Mirëpo Kurti krenohet pak me bashkëpunimin ekonomik Kosovë-Shqipëri

Kryeministri Albin Kurti ka bërë të ditur se shkëmbimet tregtare ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë sivjet kanë arritur në nivelin më të lartë ndonjëherë. Ai në një postim në Facebook ka shkruar se investimet e Shqipërisë në Kosovë gjithashtu janë më të lartat ndonjëherë dhe se në vitin 2019, ato ishin 15.2 milionë euro, derisa në…

Lajme

13/10/2023 21:38

Kryeministri Albin Kurti ka bërë të ditur se shkëmbimet tregtare ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë sivjet kanë arritur në nivelin më të lartë ndonjëherë.

Ai në një postim në Facebook ka shkruar se investimet e Shqipërisë në Kosovë gjithashtu janë më të lartat ndonjëherë dhe se në vitin 2019, ato ishin 15.2 milionë euro, derisa në vitin 2022 u pesëfishuan duke arritur në 79.7 milionë euro.

Kurti ka folur edhe rreth marrëveshjes për ndërtimin e hekurudhës Durrës-Prishtinë, e cila është ndër projektet më të rëndësishme, si në aspektin ekonomik, po ashtu edhe në atë kombëtar.

Postimi i plotë:

Dy republika, një komb. Dy vjet e gjysmë, 58 marrëveshje bilaterale, me një qëllim: më shumë përfitime për qytetarët, më shumë për ekonominë.

Për mbi 200 mijë banorët e brezit tonë të përbashkët kufitar mundësuam lëvizje e lirë duke funksionalizuar 26 vendkalime të veçanta. Kurse për të gjithë, mundësuam kalimin e lirë e pa kontrolle të kufijve gjatë muajve të verës, fundjavave dhe ditëve të pushimeve zyrtare. Aktualisht jemi afër jetësimit të kalimit të lirë e pa kontrolle çdo ditë të vitit.

Krahas lëvizjes nga njëri shtet në tjetrin, lehtësuam edhe qëndrim te njëri dhe tjetri shtet, sepse thjeshtuam procedurat për pajisjen me leje qëndrimi, me afat 5 vjeçar. Hoqëm edhe detyrimin për apostilim të dokumenteve administrative.

Me dy zyra doganore të Republikës së Kosovës në Durrës dhe Porto Romano, fituam qasje në det. Aty bëhet zhdoganimi i të gjitha mallrave me destinacion Kosovën. Kjo u ka ndihmuar drejtpërdrejt bizneseve tona që tashmë kanë kursyer nëntë milionë euro, në të njëjtën kohë që edhe ekonomia e Shqipërisë ka përfituar nga rritje me 50% e dërgesave të Kosovës përmes Portit të Durrësit.

Sivjet shkëmbimet tona tregtare janë më të lartat ndonjëherë, teksa ka edhe tre muaj tjerë deri në përfundim të vitit financiar. Investimet e Shqipërisë në Kosovë gjithashtu janë më të lartat ndonjëherë. Në vitin 2019, ato ishin vetëm 15.2 milion euro, kurse në vitin 2022, u pesëfishuan duke arritur vlerë 79.7 milionë euro.

Kemi nënshkruar marrëveshjen për ndërtimin e hekurudhës Durrës-Prishtinë, që është ndër projektet më të mëdha e më të rëndësishme, si në aspektin ekonomik ashtu edhe kombëtar. Ajo do ta lidhë Kosovën me korridoret, që kalojnë pranë nesh, por nuk janë të lidhura me ne. Do t’i bashkojë edhe më fort ekonomitë tona dhe do të rrisë lëvizshmërinë dhe lidhshmërinë ndërmjet republikave tona.

Ndërkohë që krahas unifikimit të abetares për nxënësit e klasës së parë, njësuam edhe procedurat për aplikim dhe regjistrim të studentëve në universitete, si dhe nisëm punën madhore për Enciklopedinë Shqiptare. Shumë është bërë. Edhe më shumë duhet bërë./Lajmi.net