Biden jep lajmin: 11 amerikanë janë vrarë në Izrael
Presidenti amerikan Joe Biden tha të hënën se të paktën 11 shtetas amerikanë janë në mesin e të vrarëve në sulmet fundjavës nga grupi islamik palestinez Hamas në Izrael. Uashingtoni beson se ka të ngjarë që shtetasit amerikanë mund të jenë edhe në mesin e atyre që po mbahen peng nga Hamasi, tha ai përmes…
Bota
Presidenti amerikan Joe Biden tha të hënën se të paktën 11 shtetas amerikanë janë në mesin e të vrarëve në sulmet fundjavës nga grupi islamik palestinez Hamas në Izrael.
Uashingtoni beson se ka të ngjarë që shtetasit amerikanë mund të jenë edhe në mesin e atyre që po mbahen peng nga Hamasi, tha ai përmes një deklarate.
Presidenti Biden tha se Shtetet e Bashkuara po punojnë me zyrtarët izraelitë për të marrë më shumë informacion në lidhje me vendndodhjen e qytetarëve amerikanë, të cilët janë në listën e personave të pagjetur.
“Për qytetarët amerikanë që janë aktualisht në Izrael, Departamenti i Shtetit po ofron ndihmë konsullore si dhe njoftime të përditësuara mbi situatën e sigurisë. Për ata që dëshirojnë të largohen, fluturimet komerciale dhe rrugët tokësore janë ende të disponueshme”, tha ai, duke shtuar se ata duhet të marrin masa paraprake dhe duhet të ndjekin udhëzimet e autoriteteve lokale.
Persona të armatosur të Hamasit kaluan nga Rripi i Gazës në Izrael të shtunën, duke vrarë ushtarë, civilë izraelitë dhe duke marrë dhjetëra pengje. Izraeli u përgjigj me bombardime të rënda ndaj Rripit të Gazës dhe po shqyrton një sulm të gjerë tokësor.
Presidenti Biden tha se ai ka udhëzuar ekipin e tij të sigurisë kombëtare që të punojë me homologët izraelitë në çdo aspekt lidhur me situatën e pengjeve, duke përfshirë ndarjen e informacioneve të zbulimit dhe dislokimin e ekspertëve të qeverisë amerikane.
Departamentet e policisë në të gjithë territorin e Shteteve të Bashkuara kanë rritur sigurinë rreth qendrave të organizatave hebraike, shtoi ai.