Gruaja e viktimës së fajdeve në Vushtrri: Veç plumbi më qet prej shtëpisë
Gjatë ditës së sotme Përmbaruesi me urdhër të Gjykatës ka tentuar që t’ia marr shtëpinë, Hysamedin Pirqit, një qytetari nga Vushtrria i cili ka rënë pre e mashtrimit të fajdeve. Gruaja e viktimës ka folur para mediave ku ka thënë se sot shteti i Kosovës i ka dalë në krahë fajdegjiut. Ajo thotë se nga…

Lajme
Gjatë ditës së sotme Përmbaruesi me urdhër të Gjykatës ka tentuar që t’ia marr shtëpinë, Hysamedin Pirqit, një qytetari nga Vushtrria i cili ka rënë pre e mashtrimit të fajdeve.
Gruaja e viktimës ka folur para mediave ku ka thënë se sot shteti i Kosovës i ka dalë në krahë fajdegjiut.
Ajo thotë se nga Policia e Kosovës ka kërkuar nga familja e saj që ta lëshojnë shtëpinë pasi kështu ka ardhur urdhëri nga Gjykata, shkruan Lajmi.net.
“Tash gjykata thotë vonë, Gjykata i ka mbledhë dëshmitarët, Policia na ka pritë shumë mirë, e kanë marrë dëshmitarin që e kanë, e kanë marrë në pyetje, i kemi qu edhe pleqnarët me kthy borxhin, por ky s’ka pranu. Përmbaruesit kanë ardhë (për me marrë shtëpinë)”, u shpreh ajo për Lajmi.net.
Familja e viktimës së fajdeve, Hysamedin Pirqit, është 6 anëtarësh dhe në të banon edhe nëna e tij e cila është e moshuar.
Bashkëshortja e tij ka thënë se djali i saj e ka banesën, por meqë shteti po i del në krah fajdegjisë e po mbesin pa shtëpi duhet të bëj zgjidhje edhe për vjehrrën e saj e cila është e moshuar.
“Për momentin tash djali e ka banesën, ama për plakën le të përgjigjet shteti”, u shpreh ajo.
Ajo para medieve është shprehur shumë e shqetësuar dhe shtoi se nuk ka ndërmend të largohet nga shtëpia e saj.
“Ndërsa unë ju drejtova edhe Policisë, mu veç plumbi m’qet prej shpis. Ju kisha drejtu Prokurorisë dhe Policisë, nëse gjaku derdhët sot këtu, a jep përgjegjësi shteti i Kosovës” tha bashkëshortja e viktimës.
Ajo tutje e fajësoi shtetin për trajtim të padinjitetshëm e bashkëpunëtorë të fajdegjinjëve.
“Sot mu ka duk si në vitet ’99 kur vijke serbi i qitke shqiptarët prej shtëpisë, e sot shteti jonë bashkëngjitet me fajdegjinjtë vjen edhe të qet prej shpis”, u shpreh ajo.
Në redaksinë e Lajmi.net është lajmëruar qytetari, Hysamedin Pirqi. i cili ka rënë pre e fajdeve, e për këtë ka edhe dëshmitar, F.M.
Viktima ka marrë një borxh prej 20 mijë eurove nga fajdegjiu, 17 mijë euro vlerë të automjeteve dhe 3 mijë euro para kesh.
Fajdegjiu duke e shfrytëzuar gjendjen e rënduar financiare të Hysamedinit, i cili nuk mund ta kthente këtë shumë ia rrit kamatën për rreth 35 mijë euro, pra ka kërkuar t’i kthehen 55 mijë.
Edhe pse familja e Hysamedinit nga Vushtrria, pranojnë që fajdegjiut t’ia japin 20 mijë euro, ky nuk pranon, pasi kërkon shumën prej 55 mijë eurosh. /Lajmi.net/