BE-ja ofron ndihmë për Libinë e goditur nga përmbytjet

Bashkimi Evropian ofroi ndihmë të martën për Libinë, ku përmbytjet katastrofike pas stuhisë Daniel kanë vrarë të paktën 5300 njerëz. “Imazhe rrëqethëse nga Libia pas vdekjeve dhe shkatërrimeve të shkaktuara nga përmbytjet, veçanërisht në lindje të vendit”, shkroi presidenti i Këshillit Evropian Charles Michel në X dhe shprehu “ngushëllimet më të sinqerta” të BE-së për…

Bota

13/09/2023 10:26

Bashkimi Evropian ofroi ndihmë të martën për Libinë, ku përmbytjet katastrofike pas stuhisë Daniel kanë vrarë të paktën 5300 njerëz.

“Imazhe rrëqethëse nga Libia pas vdekjeve dhe shkatërrimeve të shkaktuara nga përmbytjet, veçanërisht në lindje të vendit”, shkroi presidenti i Këshillit Evropian Charles Michel në X dhe shprehu “ngushëllimet më të sinqerta” të BE-së për popullin libian dhe familjet e viktimave.

“BE është e gatshme të ndihmojë ata që janë prekur nga kjo fatkeqësi”, shtoi ai.

Udhëheqësit e Francës dhe Italisë, Emmanuel Macron dhe Giorgia Meloni, shprehën gjithashtu solidaritet me libianët, duke thënë se ata mobilizuan burime për të ndihmuar njerëzit në vendin e Afrikës së Veriut, shkruan AA, transmeton KosovaPress.

Ministri i Jashtëm italian Antonio Tajani tha se qeveria e tij “po ndiqte me kujdes pasojat e përmbytjeve në Libi”, duke shtuar se Italia ishte në kontakt me autoritetet libiane.

Asnjë italian nuk ishte prekur deri më tani, shtoi ai.

Ministri italian i Mbrojtjes, Guido Crosetto tha se Roma i ofroi ndihmë të menjëhershme Libisë, si dhe Marokut të goditur nga tërmeti.

Ministri i Jashtëm spanjoll Jose Manuel Albares shprehu gjithashtu solidaritet me popullin libian.

“Shkatërrimi që shohim na kujton rëndësinë e luftimit të krizës klimatike për të shpëtuar jetë”, tha ai.

Ndërkohë, ministri i Jashtëm lituanez Gabrielius Landsbergis shkroi në X se “Lituania, së bashku me partnerët ndërkombëtarë, është e gatshme të ndihmojë Libinë në përpjekjet e rimëkëmbjes”.

Një tjetër ofertë ndihme erdhi nga Polonia, me Ministrinë e Jashtme të vendit duke thënë se Varshava është “thellësisht e shqetësuar” nga shkalla dhe pasojat tragjike të përmbytjeve.

“Polonia është e gatshme të ofrojë ndihmën e nevojshme humanitare,” thanë nga ministria.

Ministrja e Jashtme finlandeze Elina Valtonen dhe Ministria e Jashtme e Letonisë shprehën gjithashtu dhimbjen dhe shprehën ngushëllime popullit të Libisë.

Shirat e rrëmbyeshëm nga cikloni i fuqishëm përfshinë disa zona të Libisë lindore të dielën, veçanërisht qytetet Bengazi, Al Bayda dhe Al-Marj, si dhe Soussa dhe Derna.

Abdul Hamid Dbeibeh, kreu i qeverisë së unitetit të Libisë me bazë në Tripoli, i shpalli të gjitha zonat të ekspozuara ndaj stuhisë dhe përmbytjeve zona të fatkeqësisë.

Autoritetet shpallën gjendjen e jashtëzakonshme, e cila përfshinte pezullimin e orëve të mësimit në të gjitha institucionet arsimore publike dhe private dhe mbylljen e dyqaneve dhe bëri thirrje për mbështetje ndërkombëtare.