Petkoviqi: Formimi i Asociacionit nuk varet nga Kurti

Kryenegociatori i Serbisë në bisedimet me Kosovën, Petar Petkoviq ka folur edhe njëherë për formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Një ditë para takimit që pritet të mbahet në Bruksel, Petkoviq është shprehur se formimi i Asociacionit nuk varet nga Kurti. ‘’Kurti nuk ka asnjë bazë për të dalë me dëshirat dhe pikëpamjet…

Lajme

01/05/2023 15:59

Kryenegociatori i Serbisë në bisedimet me Kosovën, Petar Petkoviq ka folur edhe njëherë për formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Një ditë para takimit që pritet të mbahet në Bruksel, Petkoviq është shprehur se formimi i Asociacionit nuk varet nga Kurti.

‘’Kurti nuk ka asnjë bazë për të dalë me dëshirat dhe pikëpamjet e tij arbitrare për këtë çështje – detyra e tij është të zbatojë atë që është nënshkruar, me kusht që fillimisht të mësojë se si quhen marrëveshjet, kur janë nënshkruar dhe çfarë thonë ato“, theksoi Petkoviq.

Më tutje Petkoviq është shprehur se qëllimi i Kurtit është që të përdor dhunë.

“Qëllimi i tij i dukshëm është të përdorë dhunën dhe veprimet e njëanshme për të ndryshuar rrënjësisht situatën në terren dhe kështu ta bëjë të parëndësishme rrjedhën aktuale të dialogut për normalizimin. Por Kurti le ta mbajë mend mirë se ne kurrë nuk do ta lejojmë ta bëjë këtë! Prandaj. Me këtë rast i bëjmë thirrje edhe një herë komunitetit ndërkombëtar që të frenojë pushtimin Gauleiter Kurti, që të mos dëmtohet në mënyrë të pariparueshme stabiliteti i rajonit”, tha Petkoviq.

Theksojmë se nesër në Bruksel mbahet takimi i ardhshëm midis Kosovës dhe Serbisë. Në këtë takim pjesë e diskutimit pritet të jetë edhe draft-statusi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe./Lajmi.net/