​Inflacioni goditi ekonominë, ekspertët: Qeveria bëri pak për qytetarët dhe sektorin privat

Inflacioni me normën dyshifrore ka qenë problemi kryesor për ekonominë e Kosovës për vitin 2022. Qytetarët e vendit u përballen me rritje enorme të çmimeve të shkaktuar fillimisht nga pandemia COVID-19, ndërsa hov të madh kanë marrë edhe pas nisjes së pushtimit të Ukrainës nga Rusia, në fund të shkurtit. Opozita kërkonte vazhdimisht nga Qeveria…

Lajme

01/01/2023 13:45

Inflacioni me normën dyshifrore ka qenë problemi kryesor për ekonominë e Kosovës për vitin 2022. Qytetarët e vendit u përballen me rritje enorme të çmimeve të shkaktuar fillimisht nga pandemia COVID-19, ndërsa hov të madh kanë marrë edhe pas nisjes së pushtimit të Ukrainës nga Rusia, në fund të shkurtit.

Opozita kërkonte vazhdimisht nga Qeveria e Kosovës për t’iu dalë në ndihmë qytetarëve dhe bizneseve. Madje, opozitarët propozuan rritjen e pagave ose uljen e akcizës dhe TVSh-së, për naftën dhe produktet bazike.

Megjithatë, ekzekutivi nuk veproi kështu siç kërkonin edhe komuniteti i biznesit, por nxori dy pako për ndarje të mjeteve direkte për qytetarët.

Qeveria në prill pati miratuar Pakon e Ringjalljes Ekonomike, ku kishte ndarë rreth 100 milionë euro për mbështetjen e qytetarëve dhe nga të cilat përfituan rreth 800 mijë qytetarë. Ndërsa, më 3 shtator, Qeveria prezantoi Pakon e re për Përballje me Inflacionin me shumën rreth 150 milionë euro, ku nuk u përfshin në mbështetje direkte vetëm punëtorët e sektorit privat.

Në kuadër të kësaj pakoje, ekzekutivi nxori masën për t’i subvencionuar bizneset 50 për qind të rritjes së pagës për punëtorët e sektorit privat, për 3 muajt e parë. Përfaqësuesit e bizneseve këtë masë e kundërshtuan, për çka edhe kanë kërkuar mbështetje pa kushtëzime.

Përveç pakove me propozim të qeverisë, Kuvendi miratoi Projektligjin për vendosjen e çmimeve tavan, por LDK e dërgoi në Gjykatën Kushtetuese.

Për gjendjen e rëndë ekonomike në vend të shkaktuar nga rritja e çmimeve, në qershor të vitit 2022 ishte iniciuar nga deputeti opozitar, Bekim Haxhiu, Projektligji për tërheqjen e 10 deri 30 për qind të mjeteve nga Trusti, por që nuk mori mbështetjen e shumicës së deputetëve në Kuvendin e Kosovës. Pas kësaj pati sërish një iniciativë tjetër nga qytetarët për tërheqjen e mjeteve nga Trusti, por se ky projektligj pritet të diskutohet në një seancë të radhës, pa mbështetjen e Komisionit për Buxhet.

Kosova si i vetmi shtet në rajon, gjatë vitit që lamë pas, u sfidua me krizën energjetike, e cila u ndikua veçanërisht gjatë verës me reduktime të ashpra të energjisë elektrike.

Gjatë këtij viti, vendi u përball edhe me greva. Për më shumë se një muaj, nga 25 gushti deri më 3 tetor BSPK dhe SBASHK organizuan greva dhe nuk u zhvillua mësimi në shumicën e shkollave.

Kërkesë e sindikalistëve ishte rritja e pagave deri në miratimin e Projektligjit të pagave. Ndërsa, në dhjetor me propozim të Qeverisë, Kuvendi i Kosovës miratoi dy projektligje, atë për paga dhe për zyrtarët publikë. Ligji për pagat pritet të hyjë në fuqi në shkurt 2023. Kurse, Ligji për zyrtarët publikë u dërgua në Kushtetuese nga opozita.

Profesori universitar Muhamet Sadiku ka thënë se viti 2022 ishte vit i vështirë ekonomik, sikur për shtetet ndërkombëtare, ashtu edhe për Kosovës.

Njohësi i çështjeve ekonomike, Sadiku ka thënë se përveç ekonomisë, inflacioni goditi më së shumit qytetarët.

“Edhe në këtë vit kemi një ndikim tejet negativ të krizës globale me energji elektrike dhe të gjitha këto sfida ndërkombëtare, kanë reflektuar në ngritjen e inflacionit në të gjitha vendet. Kjo ngritje e inflacionit e ka prekur edhe Kosovën dhe vlerësohet se gjatë këtij… kemi pasur rreth 18 për qind, e cila është një goditje e madhe për standardin e jetës së qytetarëve të Kosovës. Kjo ka goditur më së shumti strukturën sociale, nivelin e papunësisë, pensionistët dhe në përgjithësi shportën e një familjeje kosovare… Duhet pasur parasysh edhe ‘muskujt e qeverisë’ për të ndërhyrë në zbutjen e inflacionit, sepse Qeveria e Kosovës nuk ka kapacitete që ta luftojë inflacionin ndërkombëtar, por duhet të luftojë në amortizimin e ndikimit negativ të inflacionit në popullatën e Kosovës. Popullata e Kosovës, sidomos disa kategori sociale kanë pasur mbështetje të njëhershme dy herë në vit dhe kjo është larg nga ajo që thuhet të kemi një mbështetje sistematike… Sektori privat është gjenerator i rritjes ekonomike dhe sa më i zhvilluar që të jetë ky sektor, mundësitë për të luftuar inflacionin janë shumë mëdha. Prandaj, edhe Kosova nuk ka arritur që ta fuqizojë kohezionin social dhe kështu mbetet një vend me një kohezion tejet të brishtë social dhe kjo vërtet është brengosëse për shoqërinë”, thekson profesori Sadiku.

Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Kosovë, Skënder Krasniqi, është shprehur i zhgënjyer me Qeverinë e Kosovës për mos mbështetjen e bizneseve dhe punëtorëve të sektorit privat.

Krasniqi beson se viti i ardhshëm do të jetë me ndryshime pozitive, sidomos në aspektin ekonomik.

“Viti 2022 ka qenë me shumë sfida, të cilat kanë qenë të papritura, por po shpresojmë që viti 2023 do të kemi ndryshime pozitive për shkak se në vitin që po lëmë pas u ballafaquam përveç me pandeminë COVID, edhe me një ngjarje të rëndë me agresionin rus në Ukrainë, që afektoi indirekt edhe tek ne në Kosovë, me mungesë të produkteve dhe me rritje të çmimeve enorme. Gjithashtu, gjatë këtij viti bizneset u përballem me probleme të mëdha financiare, të cilat probleme ende po vazhdojnë, e që fatkeqësisht Qeveria e Kosovës nuk arriti mjaftueshëm t’ju dalë në ndihmë bizneseve, e as punëtorëve të sektorit privat, të cilët kanë pritur nga shteti një përkrahje më të madhe. Kemi pritur që do të kemi mbështetje si biznese me pako të ndryshme, edhe për kredi bankare. Si Dhomë e Tregtisë dhe Industrisë, vazhdimisht kemi kërkuar mbështetje… Kemi pritur që të kemi edhe një bashkëpunim më të mirë me institucione qendrore, qoftë në nivel të kryeministrit, ministrave, por që këto kanë munguar… Po ashtu, kemi qenë të zhgënjyer me vendimin e shtatorit nga qeveria për Pakon për përballje me inflacionin. Ku me këtë sektori privat u godit nga shteti, sidomos punëtorët e sektorit privat, të cilët e mbajnë shtetin për arsye se gjendja e punëtorëve në sektorin privat është shumë më e rëndë se në sektorin publik”, thotë ai.

Edhe kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulëzim Rafuna ka thënë se inflacioni i lartë goditi qytetarët dhe ekonominë e vendit.

“Viti 2022 karakterizohet me shumë sfida veçanërisht për biznesin, ka pasur një pasiguri gjatë gjithë kohës për shkak të jostabilitetit ekonomik, sidomos tek pjesa e inflacionit. Kështu që asnjë biznes nuk ka mundur ta parashoh në periudha të caktuara inflacionin. Inflacioni për 2022 ka arritur një normë të lartë, dyshifrore apo më i larti që prej shpalljes së pavarësisë e deri më tani. Kjo ka qenë një sfidë shumë e madhe për biznesin. E dyta ka qenë sfidë, kur bizneset nuk patën mundësi të marrin veten pas periudhës së pandemisë për shkak që zinxhiri i furnizimit gjatë pandemisë ishte i çrregulluar. Përkundër që një vit pas pandemisë filloi një lëvizje pozitive, ndodhi lufta mes Ukrainës dhe Rusisë e cila ndikoi në mënyrë të tërthortë tek bizneset tona, për arsye se firmat tona ishin të lidhura me bizneset evropiane ishin të prekura drejtpërdrejt nga lufta. Më pas ndodhi edhe pasiguria energjetike dhe sfida tjetër ishte çështja e mungesës së fuqisë punëtore”, theksoi ai.

Sipas raportit të Bankës Botërore për vendin tonë, inflacioni shënoi rritje deri 19.2 për qind. Këtë vit pati një ngadalësim të rritjes ekonomike, dhe pritjet janë që norma e Bruto Produktit Vendor (BPV) për 2022 të jetë mes 3 dhe 4 për qind, derisa në vitin 2021, kjo rritje ka qenë 10.7 për qind.