Shala: Deklaratat e Kurtit dhe ministrave të tij për rastin Pantiq janë primitive dhe kundërligjore

Ndryshimi i masës së sigurisë nga paraburgimi në arrest shtëpiak për të dyshuarin për terrorizëm, Dejan Pantiq, dje ka nxitur reagime të shumta në vend. Për këtë vendim reagoi edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Në një konferencë për media, Kurti shkoi aq larg sa që u shpreh i interesuar të mësojë edhe emrin e…

Lajme

29/12/2022 16:38

Ndryshimi i masës së sigurisë nga paraburgimi në arrest shtëpiak për të dyshuarin për terrorizëm, Dejan Pantiq, dje ka nxitur reagime të shumta në vend.

Për këtë vendim reagoi edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Në një konferencë për media, Kurti shkoi aq larg sa që u shpreh i interesuar të mësojë edhe emrin e prokurorit dhe gjyqtarit që ka marrë këtë vendim.

E këto deklarata të Kurtit po shihen si “primitive” nga njohësit e çështjeve juridike.

Hulumtuesi i lartë i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Gëzim Shala, në një prononcim për lajmi.net ka deklaruar se ani pse deklarata e Kurtit nuk ka materie të kanosjes në thelb, ajo ka ndikuar në nxitjen e kërcënimeve të masës ndaj prokurorëve dhe gjyqtarëve.

“Nëse do të kishte hetim ndaj deklaratës së kryeministrit nuk e di çka mund të nxjerr, por përgjithësisht nuk shoh elemente të kanosjes në deklaratën e tij. Deklarata e tij ka të bëjë me ndërhyrje në drejtësi, do të thotë kryeministri nga pozicioni që ka nuk mund të bëjë deklarata të tilla. Por, nga materia e deklaratës së dhënë nuk shoh elemente të kërcënimit, mirëpo, pastaj nga ajo deklaratë janë nxitur edhe masa tjetër që kanë kërcënuar gjyqtarët e prokurorët dhe të gjitha këto definitvisht që duhet të hetohen”, ka thënë Shala.

Ai i ka cilësuar të gjitha reagimet e zyrtarëve shtetërorë si “primitive, kundërligjore dhe interferim në sistemin e drejtësisë”.

“Reagimet e kryeministrit, ministrave, akterëve të tjerë që kanë nxitur reagimet e masës tjetër ndaj gjykatësve dhe prokurorëve janë reagime primitive, kundërligjore dhe janë interferim i hapur në sistemin e drejtësisë. Ne kemi parë edhe deklarime të shumta ku në njëfarë forme është nxitur dhunë ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe në këtë rast është e papranueshme. Është detyrë e prokurorit të shtetit që të hetojë të gjitha këto raste dhe t’i sjell para drejtësisë personat që kërcënojnë haptas gjyqtarët dhe prokurorët apo që nxisin dhunë”, ka deklaruar Shala.

Ai ka thënë se politika nuk mund të ndërhyjë apo të ndikojë në vendimet e gjyqësorit.

“Në secilin rast vendimet e gjyqësorit janë të pavarura dhe nuk ka mundësi as politika as askush tjetër t’i komentojë apo t’i vejë në dyshim e aq më pak pushtetet e tjera. Në vendet ku sundon ligji, definitivisht kjo qasje është e papranueshme dhe është qartazi ndërhyrje në pavarësinë e sistemit gjyqësor”, ka deklaruar Shala.

Në fund, Shala ka deklaruar se në rastin Dejan Pantiq, gjyqtari nuk ka pasur asnjë mundësi tjetër ligjore përpos se ta aprovojë propozimin e Prokurorit të Shtetit për ndryshimin e masës së sigurisë.

“Në momentin kur Prokurori i Shtetit ka propozuar ndryshimin e masës, atëherë i bie që më nuk ka objekt dhe gjykata nuk mund të shkojë tutje në dëm të personit të dyshuar. Prokuroria e ka sqaruar shumë qartë se pse e ka kërkuar masën e arrestit shtëpiak dhe jo masën e paraburgimit. I njëjti për ditë të tëra nuk ka pasur mundësi të dërgohet në qendrën e paraburgimit dhe i njëjti nuk ka pasur mundësi me u trajtu sipas të drejtave të paraburgosurve në përputhje me Ligjin për ekzekutimin e sanksioneve penale. Për këto arsye, pra arsye humanitare dhe shëndetësore ka vendos me dërgu në arrest shtëpiak. Dërgimi në arrest shtëpiak nuk nënkupton që i njëjti lirohet nga dyshimet që bien mbi barrën e tij. I njëjti do të hetohet dhe gjykohet në procedurë të rregullt. Në anën tjetër, edhe vetë arresti shtëpiak është masë që monitorohet nga ana e gjykatës dhe policisë nëse po respektohet në mënyrë adekuate dhe në rastin konkret duhet të ketë monitorim adekuat”, ka përfunduar Shala.

Kujtojmë se dje, përmes një komunikate të përbashkët për media, Bashkimi Evropian dhe SHBA-të kanë deklaruar se ka pasur pajtueshmëri mes palëve që të mos ketë arrestime të të dyshuarve për vendosjen e barrikadave në veri, në mënyrë që të evitohet eskalimi i situatës atje.

Në anën tjetër, sot ka filluar largimi i barrikadave të vendosura tash e disa ditë në veri, duke lejuar kështu sërish lëvizjen e lirë të qytetarëve. /Lajmi.net/