“Duhet të formohet”, Escobari vazhdon presionin për Asociacionin, ani pse Kurti e kundërshtoi dy ditë më parë
Në një konferencë për media nga Ambasada e SHBA-së në Beograd, i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë se të gjitha marrëveshjet e arritura mes Kosovës dhe Serbisë duhet të zbatohen, përfshirë edhe formimin e Asociacionit. Këtë deklaratë Escobari e ka dhënë pas takimit që zhvilluan mbrëmë ai dhe emisari i BE-së…

Lajme
Në një konferencë për media nga Ambasada e SHBA-së në Beograd, i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë se të gjitha marrëveshjet e arritura mes Kosovës dhe Serbisë duhet të zbatohen, përfshirë edhe formimin e Asociacionit.
Këtë deklaratë Escobari e ka dhënë pas takimit që zhvilluan mbrëmë ai dhe emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi Mirosllav Lajçak me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq.
“Dialogu nuk është klinikisht i vdekur, unë nuk jam pjesë e dialogut, Shtetet e Bashkuara nuk janë pjesë e dialogut, por ne mbështesim dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian. Shpresoj që deri në fund të muajit ne do të gjejmë rrugë për të vazhduar. Në të njëjtën kohë, dialogu do të vazhdojë. Të gjitha marrëveshjet do të duhet të zbatohen, përfshirë formimin e Asociacionit”, deklaroi ai në konferencë.
Për formimin e Asociacionit bëri thirrje indirekte edhe emisari Lajçak. Ai dje me anë të një postimi në ‘Twitter’ pas një takimi që pati me Vuçiqin, të cilin e quajti të vështirë, tha se marrëveshjet e dala nga dialogu duhet zbatuar.
“Pata një diskutim të vështirë, por të përgjegjshëm me Vuçiq. I përcolla mesazhet dhe theksova se të gjitha marrëveshjet e dialogut duhet të zbatohen”, deklaroi ndër të tjera Lajçak.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të mërkurën në mbledhjen e Qeverisë deklaroi se në vend nuk mund të promovohet rend i ndryshëm juridik për një pjesë të territorit dhe nuk lejon prezencën, siç e quajti ai, kriminale të Serbisë në Kosovës.
“Kosova nuk mund të marrë vendime që vë në pikëpyetje pavarësinë e saj. Pavarësia e vendit natyrisht nënkupton që nuk mund të promovojmë rend juridik të ndryshëm për një pjesë të territorit, që siç kërkon pala serbe, prezencën e Serbisë në Kosovë. Kjo nuk është e mundur”, deklaroi ndër të tjera ai. /Lajmi.net/