Mustafa: Nëse Kurti njëmend llogarit në luftë, le ta sjellë edhe familjen e tij në Kosovë
Ish-kryeministri i Kosovës nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka reaguar ashpër kundër deklaratave të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, i cili dje tha se situata mes Kosovës e Serbisë mund të përshkallëzohet në konflikt të armatosur. Në një prononcim për lajmi.net, Mustafa ka thënë se Kurti duhet të tregojë kujdes në…
Lajme
Ish-kryeministri i Kosovës nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka reaguar ashpër kundër deklaratave të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, i cili dje tha se situata mes Kosovës e Serbisë mund të përshkallëzohet në konflikt të armatosur.
Në një prononcim për lajmi.net, Mustafa ka thënë se Kurti duhet të tregojë kujdes në deklarimet e tij, në mënyrë që të mos ngjallet panik tek populli.
Ai ka deklaruar se nëse kryeministri Kurti llogaritë në luftë, atëherë duhet ta sjell edhe familjen e tij në Kosovë.
“Interesi i Kosovës nuk është lufta as përmendja e saj. Është zgjidhja e problemeve me paqe e dialog. Kryeministri, nëse përnjëmend llogaritë në luftë dhe do luftë atëherë le ta sjellë edhe familjen e tij në Kosovë që të bëhet më i përgjegjshëm për vendimet e tij dhe diskursin e tij”, ka deklaruar Mustafa.
Tutje, Mustafa ka deklaruar se Qeveria e Albin Kurtit është qeveri e dhunës dhe se nuk dallon shumë prej rusëve sa i përket dhunës, duke aluduar këtu në protestat e Lëvizjes Vetëvendosje sa ishte në opozitë kur institucionet e vendit ishin sulmuar me koktej molotovi dhe gurë.
“Kjo është qeveri e dhunës. Me dhunë, gurë, gaz lotësjellës, bomba molotovi, granata ka ardhë në pushtet. Jo me punë dhe merita qeverisëse. Edhe aty ku ka qeverisur ka dështuar, si Prishtina dhe Prizreni. S’dallon shumë prej rusëve sa i përket dhunës. Ata po ia vëjnë flakën Ukrainës, këta ia vënin flakën institucioneve të Kosovës për ta rrëzuar pushtetin demokratik. Duan të themelojnë ushtri paralele dhe organe paralele të drejtësisë. “Kushtetutë e pa Kushtetutë” (mësim i keq dhe fatal).”, ka thënë ai për lajmi.net.
Mustafa ka akuzuar gjithashtu edhe presidenten Vjosa Osmani, duke thënë se bashkë me Kurtin “kaftjall e drekë e kanë Rusinë e Serbinë”.
“Që nga ardhja në pushtet flasin vetëm për luftën, thuaj se lufta nuk ka përfunduar. Kryeministri dhe Presidentja, kaftjall e drekë e kanë Rusinë, Kinën, Serbinë. Sikur ne të ishim qendra e botës, ku do të fillojë “Dita e Kijametit”. Shumë më shumë janë të prirur të ndjellin luftë sesa të promovojnë paqe. Prandaj ata që ndjellin luftë, ta sjellin Serbinë te dera”, ka vijuar duke deklaruar Mustafa.
Kujtojmë se deklaratave të Kurtit për mundësinë e një konflikti mes Kosovës e Serbisë i kanë reaguar edhe liderët e opozitës. /Lajmi.net/