Kurti: Kurrë më tepër s’është luftuar krimi në veri se tani, kryekrimineli Radojiçiq dikur pritej në zyrën e kryeministrit në Prishtinë

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka deklaruar se çështja e vendosjes së reciprocitetit është dashur të kryhet prej 11 vitesh, por kjo nuk u bë. Ai theksoi se në bashkërendim me ndërkombëtarët, reciprocitetit do të vazhdojë të zbatohet nga 1 shtatori. Ndër të tjerash ai tha se kishte dezinformim të madh nga Beogradi, në lidhje…

Lajme

04/08/2022 11:34

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka deklaruar se çështja e vendosjes së reciprocitetit është dashur të kryhet prej 11 vitesh, por kjo nuk u bë.

Ai theksoi se në bashkërendim me ndërkombëtarët, reciprocitetit do të vazhdojë të zbatohet nga 1 shtatori.

Ndër të tjerash ai tha se kishte dezinformim të madh nga Beogradi, në lidhje me reciprocitetin e që ndikoi në situatën e krijuar në veri.

“Nuk ka pasur qytetarë që ka dashur të informohet e nuk është informuar.Është folur për operacionin “Stuhia”, për ferrin e serbëve në Kosovë e të tjera. Është ngritur fushatë e tillë që të shkaktohej jo e së dielës, ku brenda minutave u ngritën barrikadat. Nuk janë barrikada që ngriten nga poshtë, por barrikada që aterojnë nga lart. Janë nga Beogradi dhe në takimet në Rashkë që i kanë sjellur ato.Ne me punë, me angazhim gjithçka do ta përmbyllim mirë. Para një viti dhe çdoherë më herët, çdo qytetar i Kosovës kur e ka kaluar kufirin është dashur të paguajë 5 euro për tabela të përkohshme, ne vendosëm reciprocitetin,i hoqëm tabelat e përkohshme, s’i kemi as ne, por vetëm letrat nxitëse.

Për ne më mirë është të hiqen edhe ato letra, për shkak se nuk janë në fushën e standardeve ndërkombëtare, shenjat e tilla të identifikimit.Nga 5 euro kanë paguar qytetarët, nuk paguajnë më. Edhe atëherë kishte tensione, edhe tash, mund të ketë edhe në të ardhmen, por jemi të vendosur në këtë që bëjmë.Ndërkaq në anën tjetër, edhe me sa më shumë komunikim me faktorët ndërkombëtarë dhe besoj se në rrethanat që ndodhemi kemi marrë vendimin më të duhur”,tha ai.

Kurti theksoi se kanë mbështetjen e Amerikës dhe se vendimet e Qeverisë fillojnë së zbatuari më 1 shtator.

“Kemi mbështetjen amerikane dhe vendimet e Qeverisë fillojnë së zbatuari më datën 1 shtator, meqë rast të dielën e 31 korrikut është parë edhe nga ata që kanë pasur dyshime për strukturat ilegale të Serbisë, që janë banda kriminale dhe është parë që Kosova mund të zbatojë dokumentin në vendkalime kufitare në mënyrë rekorde, gjithçka e digjitalizuar merreni me mend për 20 sekonda. Ky është pozicion shumë i favorshëm për në shtator. Derisa diskutojmë sot me opozitën, më mirë do të ishte në gusht, por më mirë më 1 shtator sesa hiç, por edhe më mirë më 2011, kur jeni marrë vesh në Bruksel. Nuk mund të aktrojmë nxitimin, në muajin e pushimeve gusht për një gjë që është tash e 11 vite”,shtoi ai.

Kurti tha se kurrë më shumë luftim të korrupsionit e krimit në veri nuk ka patur. Ai i është kundërpërgjigjur edhe kritikave të ish-kryeministrit, Ramush Haradinaj, teksa nuk la pa përmendur edhe Milan Radojiçiq.

“Në VV po e shoh se janë të ekzaltuar se ndërkombëtarët po e lavdojnë kryeministrin qeverinë se kryeministri i tyre është bë “good guy”, vërtetë është bërë “good guy” Albin Kurti “he is a good guy now”, por është një problem tash mas këtij “good guy” dhe ju duhet me analizu pak, sikur të ish nis gjatë gjithë kohës si “djal i mirë” s’ka dert por është nisë si i forti edhe u mundu me ia ndërtu do pozicione vendit të vet qe ku ka përfundu “good guy” shko para kthehu mbrapa kur dojnë çka ti thojnë dhe a e din kush Lajcaku, Vuçiqi e thirr Lajcakun e Lajcaku e gjen kon me thirr e këtij i thonë “step back”, a kemi me zgjidh situatën në veri i dashtun “good guy”, tha Haradinaj.

“Më lejoni t’ua them me përgjegjësi të plotë, se kurrë s’ka pasur më shumë luftim të krimit e korrupsionit në veri se sa tash. E kemi realizuar qëllimin? Jo. Por luftim më shumë s’ka pasur kurrë. Para disa viteve kryekrimineli atje, ishte pritur në zyrën e kryeministrit në Prishtinë, e sot ka fletëarrest. Pra është dallim shumë i madh. S’është në veri të Kosovës, por është në Serbi. Ka ardhur në veri për një video. Prandaj mos na shitni moral e patriotizëm se ju njohim mirë”,deklaroi Kurti./Lajmi.net/