Tri ditë të rëndësishme në kampin ‘Rossoneri’: Priten marrëveshjet për De Ketelaere, Tanganga e Sanches

Kampionët e Italisë janë në qendër të vëmendjes së mediave sportive në këtë afat të transferimeve për shkak të emrave të cilët i kanë vendosur në listën e tyre të dëshirave.

Sport

20/07/2022 10:30

Pas arritjes së Divock Origit me parametra zero nga Liverpool dhe të Yacine Adli (i blerë sezonin e kaluar), Milani ka kthyer vëmendjen kah talenti belg, Charles De Ketelaere, shkruan lajmi.net.

Sipas mediave në Itali, një delegacion i klubit të Milanit – pjesë e të cilit do të jenë edhe Paolo Maldini dhe Ricky Massara – do të udhëtojnë sot në Belgjikë për të mbyllur marrëveshjen me Club Brugge, pasi tani ‘Rossonerët’ për disa javë kanë “PO” e CDK.

Por para kësaj, përfaqësuesit e Milanit sot në Itali pritet të takohen edhe me drejtorin sportiv të Tottenham, Fabio Paratici, me të cilin do të diskutojnë për mbrojtësin Japhet Tanganga për një mundësi të huazimit me opsion blerjeje, por që klubi anglez kërkon opsionin e blerjes si obligim.

Në kampin ‘Rossoneri’ ekziston vetëbesimi se të dyja këto marrëveshje mund të mbyllen në 24-48 orët e ardhshme dhe testet mjekësore të ndodhin brenda pak ditësh.

Në anën tjetër, pista ‘Renato Sanches’ asnjëherë nuk ka pushuar te kampionët e Italisë. Milani u përball me interesimin e Paris Saint-Germain për transferimin e portugezit në ‘San Siro’, por duket se këta të fundit janë ftohur në këtë drejtim, ose po i zgjasin kalkulimet më shumë sesa duhet..

‘L’Equipe’ në Francë sot ka raportuar se mesfushori i Lille do të pranojë ofertën e Milanit në 48 orët e ardhshme nëse Paris Saint-Germain nuk bëjnë një lëvizje konkrete ndaj tij. Lille tashmë veç kanë pranuar në parim ofertën e Milan.

Këto tri ditë mund të jenë vendimtare për Milanin në raport me tri targete të këtij afati të transferimeve, ndërsa pas tyre, e gjithë vëmendja do të kthehet kah anësori i Chelsea, Hakim Ziyech me të cilin Milani shpreson të mbyllë një marrëveshje si huazim për 5 milionë, me një mundësi për blerje për 20-22 milionë euro. /Lajmi.net/