Lokalet obligohen t’iu shërbejnë ujë të pijshëm klientëve, por kanë miliona borxhe tek Ujësjellësi
Para dy ditësh, Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që obligon lokalet e gastronomisë të mos i privojnë klientët nga uji i pijshëm nga rubineti, në rast se furnizohen nga ujësjellësi publik.
Lajme
Me këtë vendim, bizneset e gastronomisë janë obliguar të zbatojnë rregullat në shërbimin e ujit për klientët, shkruan lajmi.net.
Megjithëse gastronomët kanë deklaruar se kanë shërbyer gjithmonë ujë të pijshëm nga rubineti për klientët, kjo tashmë obligohet edhe me vendim të Qeverisë.
E shërbimi i ujit të pijshëm për qytetarët mund të ndikojë edhe në “trashjen” e borxhit të bizneseve ndaj Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Prishtina”.
Zëdhënësja e KRU “Prishtina”, Arjeta Mjeku, ka bërë të ditur për lajmi.net se sektori i bizneseve ka të grumbulluar mbi 7 milionë euro borxhe të papaguara.
“Borxhi total i të gjitha kategorive, për shërbime të ujësjellësit dhe kanalizimit është afro 50 milionë euro. Borxhi total i sektorit të amvisërisë për shërbime të ujësjellësit dhe kanalizimit është mbi 40 milionë euro. Borxhi total i sektorit të bizneseve të vogla e të mëdha është mbi 7 milionë euro (mbi 5 milionë euro bizneset e vogla dhe mbi 2 milionë euro bizneset e mëdha)”, ka thënë Mjeku.
Ajo ka bërë të ditur se borxhi i konsumatorëve për shërbime të ujësjellësit dhe kanalizimit, vetëm për gjashtë muajt e parë të vitit 2022 është rreth 600 mijë euro. /Lajmi.net/