Sot mblidhet Kuvendi, në rend dite edhe tërheqja e parave të ​Trustit

Deputetët e Kuvendit të Kosovës do të mblidhen sot në dy seanca plenare. Në të parën që nis në ora 10:00 janë të planifikuara 5 pika të rendit të dytës, ndërsa e dyta nis në ora 11:00 me 20 pika të rendit të ditës. Por ajo që ngjall me shumë interes publik tek seanca e dytë mbetet pika e tetë.

Lajme

22/06/2022 07:43

Aty është paraparë shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-134 për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit nr. 04/L-101 për fondet pensionale të Kosovës, i plotësuar dhe ndryshuar me Ligjin nr. 04/L-115, me Ligjin 04/L-168 dhe Ligjin nr. 05/L-116, që i hap rrugë tërheqjes së 30% të mjeteve të Trustit.

Partitë opozitare sërish kanë apeluar Lëvizjen Vetëvendosje që të votojnë “pro” tërheqjes së mjeteve të Trustit. Por, partia që udhëheq e vetme dhe ka numrin me të madh të deputetëve është shprehur kundër miratimit të këtij projektligji.

“Prekja e Trust-it nënkupton prekjen e stabilitetit financiar të shtetit tonë dhe këtë nuk guxojmë ta bëjmë, në këtë situatë është mirë ta përmendim se një numër i madh i qytetarëve nuk kanë Trust fare, prandaj ne synojmë dhe parimet tona janë që t’i ndihmojmë atyre që nuk kanë ndërsa ata që kanë mund t’ia dalin vetë”, tha deputetja Fitore Pacolli nga LVV për KosovaPress.

Partia Demokratike e Kosovës, si sponsorizuese e këtij projektligji, ka kërkuar nga deputetët e të gjitha partive politike që në seancën e Kuvendit të Kosovës të votojnë pro pikës për tërheqjen e mjeteve nga Trusti, për t’i ndihmuar qytetarët e Kosovës të cilët nga fillimviti 2020 po përballen me krizën financiare.

“Mundësia për të tërhequr një pjesë nga paratë e kursyera në këto rrethana, ka qenë kërkesë e drejtpërdrejtë e qytetarëve, prandaj i ftoj të gjithë deputetët e Kuvendit të Kosovës dhe veçmas ata të mazhorancës, që ta votojnë projektligjin që mundëson një gjë të tillë. Kjo nuk është betejë politike por domosdoshmëri konkrete dhe kërkesë e të gjithë qytetarëve pa dallim”, tha shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri.

Edhe shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, kërkoi të votohet pro tërheqjes. Ai tha se situata në Kosovë, në aspektin social, kurrë nuk ka qenë më e vështirë pasi çmimet janë ngritur shumë, pagat kanë mbetur të njëjta, përderisa ndihma e shtetit është më se minimale.

“Kuvendi i Kosovës, në veçanti shumica parlamentare, e ka në dorë që ta miratojë në lexim të parë Ligjin për Trustin, ligj ky i cili, sado pak do të zbuste vështirësitë për njerëzit në nevojë, kontributdhënësit në një situatë krize. Mos të filozofojmë shumë, por të veprohet me votën pro. Shpresoj që vota e mazhorancës, do të jetë pro këtij ligji”, tha Tahiri.

Për të lejuar tërheqjen e mjeteve të Trustit janë organizuar edhe protesta.

Para dy vitesh ishte lejuar tërheqja e menjëhershme dhe e parakohshme e 10% të kursimeve pensionale. Sipas të dhënave, asokohe janë tërhequr mbi 198 milionë euro nga 427,371 kontribues.