Armand Duka: Liga Unike? Kemi nisur projektin Shqipëri-Kosovë për Kupën ‘Nënë Tereza’

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka ka folur së fundmi për gazetën ‘Nacionale’, ku ka paralajmëruar edhe një projekt të përbashkët mes FShF dhe Federatës së Futbollit të Kosovës.

Sport

20/06/2022 20:00

Presidenti i FShF ka thënë se FShF dhe FFK kanë nisur projektin për të organizuar një kompeticion të përbashkët.

Kupa ‘Nënë Tereza’ pritet të prezantohet si ide së shpejti, pas prezantimi i saj është tashmë 2 vite me vonesë, përcjell lajmi.net.

Pyetja nga ‘Nacionale’: Që sa kohë keni lidhje të shkëlqyeshme me kryetarin e FFK-së, Agim Ademi, a keni menduar ndonjëherë krijimin e një lige unike në futboll mes Kosovës dhe Shqipërisë kuptohet (duke marrë shembull Ligën Unike në basketboll)?

Përgjigja nga Armand Duka:

“Ne kemi nisur projektin për Kupën Nënë Tereza e cila do të prezantohej si ide e detajuar në nëntor 2019. Por tërmeti dhe më pas pandemia sollën një ngadalësim të këtij projekti madhor. Ne kemi rifilluar diskutimet për këtë projekt, i kemi dërguar edhe një shkresë zyrtare Ministrisë së Arsimit dhe Sportit ku i kërkojmë bashkëpunim dhe mbështetje për këtë Kupë. Së fundmi kemi marrë dhe një përgjigje pozitive për të pasur përfaqësues të Ministrisë në grupin e punës që do të ngremë me FFK dhe besoj se shpejt do të kemi zhvillime interesante për një trofe që do të përfshij çdo skuadër futbolli në Shqipëri dhe Kosovë.”

Duka ka bërë të ditur se për këtë projekt kanë kërkuar ndihmë edhe nga ministritë në fjalë. Kosova dhe Shqipëria tashmë kanë një “Ligë Unike” në basketboll, por që nuk tregoi suksesin e pritur në asnjë aspekt. /Lajmi.net/