Pamje/ Çfarë ndodhi e çfarë u tha në protestën e sotme disa orëshe të veteranëve para Kuvendit të Kosovës
Që nga ora 09:00, pamja rreth Kuvendit, Qeverisë dhe Presidencës së Kosovës apo tri objekteve kryesore shtetërore është tjetër.

Lajme
Përreth këtyre objekteve sot janë parë më shumë se çdo ditë tjetër, flamuj të UÇK-së, e veteranë të cilët na vazhdimësi thërrisnin “UÇK”.
Veteranët e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës u nisën sot drejt Prishtinës nga shumë anë të Kosovës. Disa të bashkuar, e disa të vetëm morën rrugën për të dalë para Kuvendit të Kosovës, me vetëm një arsye.
Seanca e ditës së hënë në të cilën u votua projektligji për pagën minimale bëri që veteranët të kundërshtojnë deputetët e pozitës.
Pasi që të njëjtit nuk u bënë pjesë e këtij projektligji, përmes protestës kanë kërkuar që Kuvendi i Kosovës të ndryshojë këtë projektligj, apo të bëjë ndonjë zgjidhje tjetër që edhe të dalëve nga lufta t’u rritet pensioni.
Kësisoj në të gjitha anët e Kuvendit të Kosovës sot u vendosën zyrtarë policorë nga patrullat, Njësitë Speciale, snajperistët, dronë e deri tek policët civilë.
Policia e Kosovës aktivizoi të gjitha mekanizmat në mënyrë që në këtë protestë të ketë siguri sa më të lartë, e që të mos ketë ndonjë incident të mundshëm.
Derisa para Kuvendit të Kosovës protestohej nga veteranët, brenda ishin deputetët e opozitës të cilët kërkonin që të mos zhvillohej seanca e sotme ku në pika të rendit të ditës kishte edhe votimin e projektligjit për tërheqjen e trustit.
Pas disa kërkesave radhazi, Kuvendi shkoi dy herë radhazi në pauzë. E diskutime me tone të larta për çështjen e veteranëve pati në mes opozitës e Qeverisë së Kosovës. Madje i pranishëm ishte edhe kryeministri Albin Kurti, i cili deklaroi se anulon shkuarjen e tij në Forumin e Prespës, e që nesër të takojë veteranët.
Pavarësisht kësaj, nga Organizata e Veteranëve të Luftës kanë deklaruar se kërkojnë që takimi të zhvillohet sot, e të mos pritet deri nesër.
Tani që deputetët janë në pauzë, e veteranët vazhdojnë të qëndrojnë jashtë, situata është më e qetë. E nga kjo protestë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës u dërgua një veteran.
Nga QKUK thanë për lajmi.net se i njëjti është në trajtim e sipër pasi si pasojë e lodhjes, temperaturave të larta kishte një situatë të përkeqësuar shëndetësore. Mjekët kujdestarë vendosën t’i bëjnë edhe një incizim për të parë gjithë gjendjen shëndetësore.
E në protestë sot nuk mungoi as deputetja e AAK-së, Time Kadriaj e lideri i PSD-së, Dardan Molliqaj.
Madje shumë prej veteranëve njëzëri kanë filluar të këndojnë këngë patriotike. Disa nga ta janë ulur këmbëkryq para Kuvendit, e disa të tjerë japin ujë për zyrtarët policorë, gjë të cilën ata e bënë disa orë më parë. E në mesin e veteranëve pati edhe nga ata që vendosën emblema të UÇK-së tek zyrtarët policorë të Kosovës.
Gjatë gjithë kohës sot në protestë është bërë thirrje për kujdes të shtuar ndaj policëve, që në asnjë mënyrë të mos ofendohen apo provokohen.Për mbi gjashtë orë protesta e veteranëve është duke vazhduar, e këta të fundit kanë deklaruar se nuk do të lodhen, e nëse është nevoja do të protestojnë edhe me tenda të vendosura para Kuvendit të Kosovës, deri në plotësimin e kërkesës së tyre./Lajmi.net/