Veteranët vazhdojnë protestën, nuk lëvizin nga Kuvendi i Kosovës
Prej më shumë se dy orësh veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë duke protestuar para Kuvendit të Kosovës.
Lajme
Të njëjtit janë duke kundërshtuar votimin në parim të projektligjit për pagën minimale, në të cilën ata nuk janë të përfshirë.
Veteranët e UÇK-së vazhdimisht kanë brohoritur ‘UÇK’, ndërsa kanë deklaruar se është turp për deputetët e Kuvendit të Kosovës të cilët kanë votuar këtë projektligj.
Ata kanë bërë thirrje që të mos fyen apo provokohen zyrtarët policorë të Kosovës, pasi që të njëjtit kundërshtimin e kanë për zyrtarët shtetërorë dhe jo policët.
Përpos kësaj, nga OVL-UÇK kanë thënë se po u ofrojnë edhe një shans të dytë zyrtarëve të shtetit që të përmirësojnë gabimin në lidhje me këtë votim dhe se duan që protesta të përfundojë e qetë.
E zyrtarët policorë janë përkujdesur që t’u ofrojnë edhe ujë veteranëve të cilët po vazhdojnë të jenë në këtë protestë.
Në anën tjetër në sallën plenare të Kuvendit të Kosovës janë deputetët e opozitës dhe pozitës, të cilët ishin mbledhur për të zhvilluar seancën e radhës plenare, ku do të votohej edhe për mundësinë e tërheqjes së trustit.
Por janë pikërisht përfaqësuesit e opozitës ata të cilët kanë kundërshtuar zhvillimin e kësaj seance , duke thënë se duhet diskutuar me veteranët.
Madje deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri ka tërhequr mikrofonin e foltoresh në kundërshtim të zhvillimit të seancës.
Pas kësaj, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka thirrur në takim shefat e grupeve parlamentare për të diskutuar lidhur me mbarëvajtjen e këtij procesi.
Protestës pak më parë I është bashkuar edhe deputetja e AAK-së, Time Kadriaj. Ajo është parë mjaft e emocionuar duke thënë se Qeveria duhet të dëgjojë kërkesën e veteranëve./Lajmi.net/