Qeverisë i shtohet edhe një kërkesë për akcizën në naftë, kësaj radhe nga shoqata e Transportit Rrugor

Këshilli Drejtues i Shoqatës së Transportit Rrugor të Udhëtarëve në mbledhje të jashtëzakonshme ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të largohet akciza në furnizimin me derivate të naftës për transportin ndërurban, deri në normalizim të situatës.

Lajme

10/06/2022 18:11

Kështu kanë bërë të ditur nga kjo shoqatë me anë të një komunikate për media, duke vlerësuar se kompanitë gjegjëse janë në prag të falimentimit, shkruan lajmi.net.

“Si përfundim, Shoqata e Transportit Rrugor të Udhëtarëve ka kërkuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës që për një periudhë të caktuar kohore të hiqet akciza për furnizimin me derivatet e naftës për sektorin e transportit rrugor të udhëtarëve me autobusë apo lirimin nga TVSH të furnizimit me derivatet e naftës, deri në normalizimin e situatës së krijuar”, thuhet në komunikatë.

“Miratimi i këtyre kërkesave do t’i ndihmonte kompanitë që janë në prag të falimentimit dhe njëkohësisht do të mbronte interesin publik të qytetarëve si masë parandaluese për rritjen e çmimit të biletave”, përfundon komunikata.

Kërkesat për ulje të akcizës në produkte të derivateve ka pasur edhe nga opozita dhe naftëtarët. /Lajmi.net/