Gjithçka gati për Testin e Arritshmërisë, Pupovci tregon detajet dhe rregullat
Zëvendësministri i Arsimit, Dukagjin Pupovci, ka thënë që gjithçka është gati për mbajtjen e Testit të Arritshmërisë për nxënësit që e kanë kryer klasën e nëntë.
Lajme
“Jemi plotësisht gati pra, testimi i këtij viti do të jetë i ndarë në dy ditë, nesër më datën 4 qershor do të mbahet testi nga lëndët e shkencave shoqërore dhe gjuhëve, pra do të jetë gjuha amtare, gjuha angleze, pastaj gjeografia dhe historia, ndërsa më datën 14 qershor do të mbahet testi nga matematika, informatika dhe shkencat e natyrës, pra biologjia, kimia dhe fizika”.
“Kështu që testi është i ndarë në dy ditë dhe tanimë janë bërë të gjitha përgatitjet për organizimin e tij dhe përmbajtjen sa më të mirë të testit”.
Pupovci tha se tashmë janë caktuar administratorët dhe se ka një numër të bollshëm të tyre, ndërkaq foli edhe për gjatësinë e testit.
“Testi zgjat dy orë. Pastaj, përpos administratorëve janë komisionerët të cilët delegohen nga ministria dhe të cilët e bëjnë mbikëqyrjen e administratorëve në një qendër testimi. Përndryshe, testi do të mbahet në [objektet] e shkollave të mesme. Pra, nuk do të jetë në lokalet e shkollave fillore. Do të jetë në lokalet e shkollave të mesme për shkak se data 14 qershor është ditë punë për shkollat fillore të mesme dhe të ulëta ndërsa shkollat e mesme atëherë vetëm e përfundojnë procesin mësimor dhe nuk pengohet askush”.
Ai i përmendi edhe dy veprime që i ka marrë ministria, ku njëri preh tyre është moslejimi i nxënësit që të kthehet në test pasi të ketë dalë nga klasa.
“Për të sjellë vlerësim real janë bërë dy veprime. Veprimi i parë ka qenë ndarja e testit në dy ditë sepse më herët ka qenë në një ditë dhe në këtë mënyrë kanë qenë nëntë lëndë brenda një dite prandaj nr i pyetjeve ka qenë shumë i kufizuar brenda lëndëve dhe nuk kanë arritur nxënësit ta shprehin njohurinë e vet ndërsa nga këndvështrimi i administrimit përveç këtë vit janë ndërruar pak rregullat pra nxënësit nuk kanë të drejtë të dalin më nga testi dhe të kthehen në test”.
“Duhet të qëndrojnë në test për dy orë. Domethënë diku në orën 09:30 ata do të vendosen nëpër klasa dhe nja gjysmë ore lihet për dhënien e udhëzimeve që kanë të bëjnë për testin”.
Pupovci tha se po ashtu do të merren masa rigoroze ndaj administratorëve të cilët nuk e kryejnë punën si duhet (dënime deri në një mijë euro), si dhe dënime ndaj nxënësve që bëjnë e shkelje e të cilëve u ndalohet hyrja në test në një numër afatesh. /Klan Kosova/