Kënga me gjuhë urrejtje në festën e fëmijëve, shkolla “Faik Konica”: Lëshim teknik i DJ, kemi ndërruar muzikën

Shkolla Fillore e Mesme e Ulët “Faik Konica” në Prishtinë e ka vlerësuar si gabim teknik të DJ të kontraktuar këngën e lëshuar të “Dior” nga Pop Smoke [e cila përmban gjuhë urrejtjeje] në festivalin KonicaFest, e organizuar për Ditën e Fëmijëve, duke thënë se kanë ndërhyrë duke ndërruar muzikën.

Lajme

01/06/2022 14:37

Në një komunikatë dërguar mediave, drejtoresha e kësaj shkolle, Jehona Oruçi, ka thënë se nuk është qëllim i kësaj shkolle promovimi i vlerave të prezantuara në këngën në fjalë, shkruan lajmi.net.

“Në kuadër të këtij festivali, ne kemi organizuar dy festa, të ndara për klasët 6/7 dhe 8/9. Për këto festa, ne kemi përgatitur një playlistë të censuruar, të cilën mund të jua dërgojmë për ta vërtetuar. Ajo çka shihet në videon e publikuar nga ju është një lëshim teknik nga DJ i kontraktuar nga shkolla. Sapo ne kemi vërejtur gabimin kemi ndërhyrë dhe kemi ndërruar muzikën”, deklaron në komunikatë Oruçi.

“Ne jemi në dijeni që kënga “Dior” përmban gjuhë të urrejtjes, në kontradiktë të plotë me qëllimin e festivalit, por assesi ne nuk kemi për synim promovimin e vlerave të paraqitura në këngë, përkundrazi!”, sqarohet ndër të tjera.

Kënga, sipas drejtoreshës së kësaj shkolle, nuk është luajtur më gjatë se një minutë. /Lajmi.net/