Sot zhvillohet finalja e Ligës së Kampionëve: Liverpool – Real Madrid

Sot do të luhet finalja e madhe e Ligës e Kampionëve, ndërmjet Liverpool - Real Madrid.

Sport

28/05/2022 08:06

Sonte me fillim nga ora 21:00, stadiumi “Stade de France” do të jetë nikoqir i ngjarjes më prestigjioze të garave evropiane për klube, ku Liverpooli dhe Real Madridi do të luftojnë për trofeun e Ligës së Kampionëve.

Hera e fundit që ‘Mbretërit’ e fituan trofeun e kësaj gare ishte pikërisht kundër Liverpoolit, ku në maj të vitit 2018 ata mposhtën gjigantin anglez me rezultat 3:1, për t’u kurorëzuar me titullin e 13 evropian, përcjell lajmi.net..

Në anën tjetër, “Reds” e Jurgen Klopp rikthehen në finale të Ligës së Kampionëve pas tre viteve, ku në vitin 2019 e mposhtën skuadrën e Tottenhamit me rezultat 2:0 për ta fituar trofeun e gjashtë evropian në histori të klubit.

Real Madridi arriti në finale duke mposhtur Paris Saint Germain, Chelsea dhe në fund Manchester City.

Ndërsa, Liverpooli mposhti Benfica, Inter dhe Villarreal kështu duke siguruar biletën për finale.

Ndërkaq, kjo do të jetë finalja e tretë mes këtyre dy klubeve në histori të Ligës së Kampionëve, ku në vitin 1981 Liverpooli e mposhti Realin me rezultat minimal 1:0, kurse në vitin 2018, gjiganti spanjoll triumfoi në finale me rezultat 3:1.

Finalja e këtij sezoni të Ligës së Kampionëve ishte paraparë që të zhvillohet në stadiumin “Krestovsky” të Shën Petersburgut të Rusisë, por si pasojë e agresionit rus në Ukrainës, UEFA vendosi ta zhvendosë finalen në Paris.

Chelsea është kampion aktual i Evropës pasi në finalen e vitit të kaluar mposhtën Manchester Cityn./Lajmi.net/