“Po vlerësohen parametrat e nevojshme”: Presidenti i Milanit konfirmon ofertat e Investcorp dhe RedBird

Shitja e Milanit është pothuajse çështje ditësh. Në tavolinë janë dy oferta; ajo e fondit arab Investcorp dhe ajo e fondit amerikan, RedBird.

Sport

11/05/2022 14:40

Lidhur me situatën në të cilën aktualisht është skuadra italiane ka folur edhe presidenti aktual i klubit, Paolo Scaroni i cili ka konfirmuar gjithashtu interesimin dhe ofertën e RedBird, shkruan lajmi.net.

“Unë nuk di për ndonjë çështje kritike me Investcorp. Unë e kuptoj që ka dy oferta dhe duhet kohë për të plotësuar dhe parë qëllimin e ofertës, për t’i kuptuar mirë dhe për t’i krahasuar ato”, tha dje Scaroni, transmeton lajmi.net.

Ai ka dhënë dritën e gjelbër për shitjen e klubit, duke konfirmuar për mediat se ekzistojnë dy oferta për blerjen e klubit, një nga Bahreini e një tjetër nga Amerika.

Pronarët aktualë kanë pasur diskutime me fondin nga Bahreini, por firmat nuk janë vendosur në letër si shkak i vlerësimit të parametrave të nevojshëm për shitje.

Scaroni ka folur lidhur me këtë çështje duke thënë se, mungesa e firmave ka ndodhur si pasojë e ofertës së dytë, të ndryshme në formulë dhe në aspektin ekonomik.

“Parametrat për t’u vlerësuar”, për të cilat foli Scaroni, po e shtyjnë Elliott që të shqyrtojë edhe mundësinë e RedBird që mund të përfaqësohen me një strategji më të mirë të investimeve.

Megjithatë, dyshimet e Elliott lidhur me ofertën e Investcorp kanë të bëjnë me formulën e propozuar nga fondi saudit me 1.18 miliardë euro, të ndara në 800 milionë kapital dhe pjesën tjetër në formë kredie.

Konkurrenca nga fondi amerikan i drejtuar nga Cardinale mund të bëjë tani që Investcorp të ndryshojë formulën e propozuar në fillim, ose duke modifikuar atë në uljen e kredisë në favor të kapitalit.

Elliott ndërkohë po pret. Kampionati ende nuk është mbyllur dhe kjo mund t’i zhvendosë edhe më tej pozitivisht llogaritë e klubit dhe për rrjedhojë të ketë edhe ndryshim në negociata me të interesuarit.

Interesimi i Investcorp ka qenë serioz që nga fillimi. Madje, fondi nga Bahreini kanë premtuar edhe ndërtimin e stadiumit të Milanit me procedura të përshpejtuara, por futja në lojë e RedBird ka ndryshuar situatën.

Shitja e Milanit siç raportohet nga mediat italiane mbetet çështje kohe, pasi sipas burimeve të tyre, ka edhe investitorë tjerë të interesuar duke parë ngritjen graduale të klubit ndër vite. /Lajmi.net/