Joseph për takimin në Berlin: U “thye akulli”, Kurtit e Vuçiqit iu kërkua të ndryshojnë gjuhën

Takimin në Berlin që u mbajt me ndërmjetësimin e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, ku takoi ndarazi kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, dhe presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, po e sheh si “thyerje akulli” dhe distancim nga retorika armiqësore profesori amerikan në Johns Hopkins, Edward P. Joseph.

Lajme

07/05/2022 14:04

Joseph, në një prononcim për lajmi.net, ka thënë se Bundestagu zyrtar u kërkoi të dy liderëve qëndrim pozitiv ndaj dialogut të udhëhequr nga BE-ja. Njohësi i rrethanave politike në Ballkanin Perëndimor, takimin e organizuar nga kancelari Scholz, e pa si një angazhim më të madh në krahasim me paraardhësen gjermane, Angela Merkel.

“Takimi në Berlin ishte i rëndësishëm që të ‘thehej akulli’, në kohën e shtuarjes së retorikës armiqësore midis Serbisë dhe Kosovës. Me një takim të tillë, si Kurti ashtu edhe Vuçiq u vunë në pozitën që duhej të ndryshonin gjuhën e tyre dhe të shprehnin një qëndrim pozitiv në parim ndaj Dialogut të udhëhequr nga BE-ja”, deklaroi ai për mediumin.

Më tej, ai konsideroi se takimi nuk ndryshoi dinamikën e dialogut, duke përkujtuar vështirësitë sikurse deklarimet provokuese pas arritjes së Marrëveshjes së Washingtonit, përgjatë kohës sa Avdullah Hoti ishte në funksionin e kryeministrit të Kosovës.

Profesori Joseph më tej ka thënë se Serbia e ka “avantazhin e levës” ndaj Kosovës. Si shkak për këtë, ai i sheh katër vendet mos-njohëse ndaj sovranitetit të Kosovës, që janë anëtare të NATO-s.

“Problemi i vërtetë në Dialog është strukturor: Serbia ka avantazhin e levës ndaj Kosovës. Ne e kemi shpjeguar këtë janar me raportin tonë të Qendrës SAIS-Wilson, me titullin “Nga kriza në konvergjencë”. Mosmarrëveshja është bllokuar sepse katër vende të NATO-s — Greqia, Sllovakia, Spanja dhe Rumania — nuk e njohin Kosovën. Nëse do ta njihnin Kosovën, atëherë bllokada e Serbisë ndaj Kosovës, e mbështetur nga Rusia dhe Kina, do të ishte thelbësisht e pakuptimtë. Në vend të kësaj, Serbia do të kishte më në fund arsye për të negociuar kushte demokratike dhe të drejta për njohje, pasi nuk mund ta izolonte më Kosovën”, sqaron më tej Joseph.

Ai më tej ka thënë që avancimi i dialogut do të bëhej nëpërmjet anëtarësimit në ‘Partneritetin për Paqe’ të NATO-s. “Rruga përpara mbetet ashtu siç e kemi përshkruar në raportin tonë. Për të avancuar Dialogun, katër jo-njohësit e NATO-s mund të ecin përpara drejt njohjes, për shembull, duke e futur Kosovën në ‘Partneritetin për Paqe’ të NATO-s. Rruga e ‘Konvergjencës’ që rekomanduam në raportin tonë, mbetet çelësi për zgjidhjen përfundimisht të mosmarrëveshjes mbi Kosovën — dhe lejimin e rajonit të ecë përpara”, deklaroi ai për lajmi.net.

“Në çdo rast, është e qartë se Dialogu, si një mjet hap pas hapi për përparim, është kryesisht i pafuqishëm. Mund të shohim se edhe çështja e targave është e lidhur në çështjen gjithëpërfshirëse të sovranitetit mbi Kosovën”, tha ndër të tjera njohësi i çështjeve të Ballkanit Perëndimor.

Scholzi ka pritur ndarazi kryeministrin Kurti dhe Vuçiqin të mërkurën në Berlin. Kurti, në prezencë të Scholzit, tha se Kosova, së shpejti, do të dorëzojë aplikacionin për anëtarësim në Këshillin e Evropës, si dhe në Partneritetin për Paqe të NATO-s.

Kancelari Scholz shpresoi se Serbia nuk do të largohet nga ato organizata, ku Kosova do të mund të anëtarësohet.

Scholz, po ashtu, i kërkoi Kurtit të mbajë qëndrim konkstruktiv në procesin e dialogut, sepse prej një marrëveshjeje mes të dy vendeve do të përfitonte i gjithë Ballkani Perëndimor, sepse parakushti më i rëndësishëm për investime, për vende pune dhe perspektiva për të rinjtë është stabiliteti dhe siguria. /Lajmi.net/