Tahiri-ministrave: E keni marrë Kosovën me çelësa në dorë, kthejuni punës

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, tha se Qeveria Kurti nuk e ka bërë asnjë ligj që e prek jetën e qytetarit, derisa iu drejtua ministrave në seancën e sotme plenare.

Lajme

07/04/2022 11:00

Tahiri theksoi se Qeveria duhet të bëjë atë që është bërë për 20 vjet, pasi që sipas tij VV e ka marrë Kosovën me çelësa në dorë.

“Letërnjoftimi dhe imazhi kryesor i një qeverie se a është e suksesshme apo e dështuar është zbatimi i dokumenteve që i bënë vetë, e një ndër këta dokumente është agjenda legjislative e cila ishte plotësisht e dështuar në vitin 2021”, ka thënë Tahiri.

“Me ardh sot në prill dhe me prezentu 27 ligje në periudhën janar-mars dhe mi sjell vetëm 9 ligje ndërsa 18 prej tyre mos me qenë askund është dështimi, turpi dhe mos-efikasiteti i një qeverie. LVV Kosovën e ka marr me çelësa në dorë, me 2.1 miliardë euro, me 117 njohje, me ushtri e me polici, me vendimin e GJND-së që shpallja e pavarësisë është e drejtë dhe populli lyp prej tyre mi kry qeto punë që thotë se unë i kryej”, ka thënë Tahiri.

“Leni fjalët, kthejuni punës”, shtoi deputeti Tahiri./Lajmi.net/