“GOzil” – Lojtarin që ktheu asistin në art s’e do më askush

Gjermania nuk shkoi më larg gjysmëfinalja e Botërorit të vitit 2010, por, brenda këtij zhgënjimi do të gjenin edhe një fije shprese. Për “Die Mannschaft” po vinte një lider i ri i mesfushës.

Sport

05/04/2022 17:03

Mesut Ozil, atëbotë 22-vjeçar, po hidhte sigurt hapat drejt një karriere të begatë. Schalke e Werder Bremen do të ishin trampolina e një ngjitjeje që do të vazhdonte për disa vite radhazi.

Ozil shumë shpejt ra në “radarin” e skuadrave të mëdha. I pazmbrapsur për turkun u tregua Real Madrid, i cili nuk kurseu 16.2 milionë funte. Presidenti Florentino Perez donte një skuadër konkurruese për të gjitha frontet. Makinerisë “CR7” do t’i përgjigjej një Ozil që do ta shndërronte në njërin prej më të mirëve në botë.

27 gola dhe 80 asiste, të kurorëzuara me një titull kampion (2011-12), një Kupë të Spanjës (2010 -11) dhe Superkupë të Spanjës (2012 -13) do e bënin “10-shën e madhe” të paharruar për kampin madrilien.

Pos “Los Blancos”, “frytet” e besimit ndaj Ozilit po i shijonte edhe Gjermania. Aty do të zgjidhej pesë herë lojtari më i mirë gjerman (rekord) dhe do të kontribuonte në fitimin e Kupës së Botës në vitin 2014.

Madrilienët i la në vitin 2013, si top asistues në tri vite radhazi në La liga. Gjatë kësaj kohe, në disa raste, u kritikua nga Jose Mourinho për “mosangazhim të duhur”. Portugezi shkoi deri aty sa e etiketoi turkun si “të apasionuar pas jetës së natës”.

Largimi i Mourinhos nuk ndryshoi asgjë te lojtari. Stolin e 33-herë kampionëve spanjollë e mori Carlo Anchelotti i cili transferoi Gareth Bale në po këtë afat kalimtar.

Kundërpërgjigjja e Ozil nuk vonoi shumë dhe më 2 shtator do ta bënte lëvizjen e befasishme për tek Arsenal për 42.5 milionë funte. Kjo lëvizje e tij u interpretua nga njohës të futbollit si tendencë për ulje të presionit mbi shpatullat e veta, por ndodhi e kundërta.

Lojtari vuante ta gjente formën fizike në vitin e parë te “The Gunners” e, pos kësaj, as polemikat me lojtarë si Per Mertesacker e Mathieu Flamini nuk mungonin. Të dy e qortonin për “dembeli” në fushën e blertë.

Përkundër vështirësive, Ozil pati edhe dromca shkëlqimi tek Arsenal. Në vitin 2016 do të shpallej asistuesi më i mirë në Premier League më 19 asiste, mirëpo, përkundër formës, “topçinjtë” e përfunduan sezonin pa asnjë trofe .

Trajneri i tij, Arsene Wenger, nuk hezitonte ta lavdëronte lojtarin sa herë që i vinte mundësia, por Ozil nuk ishte më konistent pas vitit 2017.

Në vitin 2018 u pensionua nga futbolli kombëtar për shkak ofendimeve që merrte nga tifozët e Gjermanisë. Fotot me presidentin turk, Recep Tayyip Erdogan, gjatë fushatës presidenciale të këtij të fundit reshën një sulm të parreshtur ndaj tij në mediat sociale.

“Unë po pranoja fyerje raciste dhe asnjëri nga ekipi kombëtar nuk doli të thoshte: Stop! Ai është lojtari ynë. Nuk mund ta ngacmoni kështu. Të gjithë ishin të qetë dhe e lanë situatën të kalojë”, shprehej Ozil pas largimit.

Fund i hidhur për të do të ishte edhe tek Arsenal. Pas largimit të Arsene Wenger, ai do të vuante për gjetjen e hapësirave në formacionin startues.

Në fillim gjithçka rridhte normalisht në mes të tij dhe trajnerit pasardhës, Unai Emery, por kjo paqe do të ishte e përkohshme.

Spanjolli filloi t’i reduktonte hapësirat për turkun me pretendimin se nuk ishte në formën më të mirë fizike. Po zhvillohej finalja e “Europa League” në mes të Chelseat dhe Arsenalit, ndeshje të cilën “Gunners” e humbën 4:1 dhe, në mes të kësaj, Ozil “shfryu” keq ndaj Emery.

“Ti nuk je trajner”, ishte kjo fjali, e thënë nga Ozil pas zëvendësimit me Joe Willock, që nxori në pah mosmarrëveshjet në mes të dyshes.

Arsenali humbi finalen, Ozil do të humbte gati tërësisht vendin startues. Ai madje shpesh as nuk ftohej nga Emery.

Freddie Ljungberg dhe Mikel Arteta do ta vazhdonin të njëjtin avaz. Fillimisht ai do të rikthehej në formacionin e Artetas, por as këtu nuk do të kishte vazhdimësi.

Ozil do të luante pak edhe në këtë periudhë. Qëndrimet e tij ndaj Kinës për maltretimin e myslimanëve ujgurë thuhej të ishin ndër arsyet kryesore pse lojtari po trajtohej në atë mënyrë. Arteta nuk jepte shumë shpjegime për situatën me (tash) 34-vjeçarin .

Ozil, çuditërisht, sëmurej shpesh dhe mungonte gjatë. Karriera te “The Gunners” dukej po merrte fund. Atje fitoi 4 Fa Cup (2014, 2015, 2017, 2020) dhe dy Superkupa të Anglisë (2015, 2016)

Destinacioni i ri do të ishte Fenerbahche në Superligën e Turqisë për shumën e 4.5 milionë funteve, në janar të vitit 2021, por edhe aty nuk të luante për shumë gjatë.

Zënkat me trajnerin e kësaj skuadre, Ismail Kartal, do të bënin që ky dhe mesfushori tjetër, Ozan Tufan, të suspendoheshin nga skuadra.

Arsyet nuk janë ende të ditura, por Ozilin më s’e do askush. Veprimet jashtë fushe i dhanë trajektore të padëshiruar karrerës së njërit prej “10-sheve” më të mira të historisë së futbollit, i cili asistin vërtetë e ktheu në një “art në lëvizje”.