Fitorja e Vuçiq në Serbi, analistët: Do të ketë presion për dialogun, Serbia vazhdon të jetë cënuese e sigurisë në Ballkan

Njohësit e çështjeve politike, Arton Demhasaj dhe Gazmir Raci mendojnë se pas zgjedhjeve në Serbi, Kosova dhe Serbia do të përballen me një presion më të madh rreth çështjes së dialogut, dialog i cili do të hyjë në një fazë më të rëndësishme.

Lajme

06/04/2022 22:39

Demhasaj, për lajmi.net, ka thënë se momentin e certifikimit të zgjedhjeve në Serbi, presioni rreth dialogut do të jetë më i madh nga ana e Washingtoni dhe Brukselit.

“Sa i përket dialogut, tashmë në momentin kur certifikohen zgjedhjet në Serbi ka me pasë një presion më të madh nga ana e Brukselit por edhe e Washingtonit për me iu rikthy dialogut me pretendimin që sa më shpejtë me arritë një marrëveshje përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë. Kjo për shkak se tash kemi institucione legjitime të reja të dala nga zgjedhjet në Serbi, njëkohësisht kemi qeveri që ka dalë para një viti në Kosovë. Dhe me u mundu që përmes presionit me arritë marrëveshje sa më shpejtë”, tha Demhasaj për lajmi.net.

Tutje, ai komentoi edhe çështjen e sigurisë në Ballkan, ku tha se zgjedhja apo jo e Vuçiqit si president luan pak rol meqë edhe kandidatët tjerë kanë pasur fjalor dhe qasje të njëjtë me Kosovën.

“Sa i përket sigurisë në Ballkan, mendoj që kush do që ish zgjedhë President në Serbi, në njëfarë mënyre fjalori i tyre ka qenë i njëjtë. Sa i përketë fushatës parazgjedhore, pak a shumë koncepti i njëjtë. Kanë qenë të rreshtum kah Rusia, duke deklaruar se asnjëherë nuk hjekin dorë nga Kosova. Pra ka qenë një fjalor i njëjtë, pra nuk besoj që ka një dallim të madh nëse vjen Vuçiqi apo vjen dikush tjetër në Serbi sa i përket stabilitetit”, përfundoi ai.

Rreth ndikimit që mund të ketë rizgjedhja e Vuçiqit si president i Serbisë, në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, dhe sigurinë në Ballkan, ka folur edhe opinionisti Gazmir Raci.

Raci, në prononcimin e tij dhënë për lajmi.net, ka thënë se duhet të presim se kush do të zgjidhet kryeministër i Serbisë, sepse nëse kryeministër do të jetë Daçiq, atëherë dialogu mes Kosovës dhe Serbisë do të përballet me një sfidë të madhe duke pasur parasysh se, edhe Vuçiq edhe Daçiq i takojnë periudhës se ish-regjimit të Millosheviqit.

“Unë mendoj që tash dialogu do të hyjë në një fazë shumë të rëndësishme e po ashtu do të hyhet ne fazën e përplasjeve të mëdha politike mes Kosovës dhe Serbisë. Por ta shohim edhe pak se si do të zgjidhet qeveria, se kush do të jetë kryeministri i ardhshëm i Serbisë. Në qoftë se do të jetë Ivica Daçiq, atëherë unë e shoh një sfidë të madhe për dialogun, sepse tandemi Vuçiq-Daçiq janë persona që i takojnë ish-regjimit të Millosheviqit, andaj edhe procesi i dialogut do të jetë i shoqëruar me presione të mëdha”, tha Raci

Përveç kësaj, Raci ka thënë që tashmë edhe Kosova e udhëhequr nga Kurti, ka një qasje tjetër ndaj dialogut, dhe nëse Serbia dëshiron anëtarësim atëherë ajo duhet të ndryshojë qasje.

“Duke pas parasysh që edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka një qasje të re në dialogun e Brukselit. E dyta, nëse Serbia dëshiron realisht me u integruar në Bashkimin Evropian, atëherë ajo duhet të sillet me frymën e bashkëpunimit rajonal, fqinjësisë së mirë, edhe arritjes së integrimit në BE, në qoftë se nuk sillet konform parimeve të Bashkimit Evropian, atëherë ka me pas probleme të mëdha në këtë drejtim”, shtoi ai.

Raci vazhdoi duke thënë se gjasat që Serbia të ndryshojë qasje janë të vështira duke e parë reagimin që kjo e fundit e ka bërë ndaj luftës Rusi-Ukrainë, e cila filloi nga agresioni rus.

“BE dhe faktorët ndërkombëtar mendoj që kanë qenë me idenë që Vuçiq i ka kontribuar paqes dhe stabilitetit rajonal, për të cilën gjë unë kam dyshimet e mija. Tash ta shohim si do të sillet në mandatin e ri. Por prap po them, në qoftë se ai realisht dëshiron me dërgu Serbinë në BE, ai duhet me u sill konform parimeve që i promovon BE-ja. Nuk mundet me dalë jashtë saj. Por mos harrojmë se sjellja e Serbisë në kuadër të luftës së Rusisë në Ukrainë, lë me dyshu që Serbia mund të jetë pozitive në këtë qasje”, deklaroi Raci.

Ai përfundoi se, SHBA por edhe BE duhet të angazhohen më shumë në dialog gjatë muajve në vijim në mënyrë që të këtë stabilitet, sepse, përndryshe nëse kjo nuk bëhet atëherë ky rajon, sipas Racit, është potencial për destabilizim.

“Dhe unë pres angazhim më të madh të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, dhe vetë ambasadorit Hill që ka ardhur në Beograd tash, dhe BE-së, në mënyrë me stabilizua rajonin. Në qoftë se nuk stabilizohet, atëherë ky rajon është potencial për destabilizim, siç ka qenë në të kaluarën,” përfundoi ai.

Të dielën në Serbi janë mbajtur zgjedhjet e përgjithshme për Presidentin e vendit dhe gjithashtu për deputetët e Kuvendit të Serbisë. Partia më e votuar ka dalë ajo e presidentit aktual të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ndërsa duket se ai do të jetë i varur edhe Ivica Daçiq, sidomos për qeverisjen në Beograd, por ka gjasë të madhe Daçiq të marrë edhe postin e kryeministrit.

Në anën tjetër nga Bashkimi Europian në një përgjigje për lajmi.net kanë thënë se data e takimit të radhës e nivelit të lartë midis krerëve të Kosovës dhe të Serbisë do të njoftohet me kohë, duke mos dhënë ndonjë datë ose afat kohor se kur mund të rifillojë dialogu. /Lajmi.net/

Bashkimi Evropian nuk ka datë se kur do të rifillojë dialogu Kosovë-Serbi