“Shuplakë” Kosovës apo Serbisë? Ekspertët komentojnë deklaratën e BE-së pas suspendimit të gjyqtares serbe

Bashkimi Evropian është deklaruar pas vendimit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës për të suspenduar Liljana Stefanoviqin, kryetaren e Gjykatës Themelore në Mitrovicë, pasi e njëjta mori pjesë në një mbledhje në Beograd të thirrur nga presidenti serb, Aleksandar Vuçiq.

Lajme

30/03/2022 22:00

Në deklaratën e saj, BE-ja ka bërë thirrje që të ulen tensionet dhe të respektohet marrëveshja për integrimin e personelit serb në sistemin gjyqësor të Kosovës, por edhe procedurat e rregullave disiplinore të Kosovës.

Për këtë deklaratë njohësit e çështjeve juridike kanë mendime të ndryshme.

Njohësi i çështjeve juridike, Mazllum Baraliu, thotë se deklarata të tilla janë të papranueshme, qesharake e madje edhe të dëmshme.

“Kjo deklaratë është në frymën e deklaratave të Borrellit e Lajçakut dhe të cilat janë kundërshtuar edhe nga përfaqësues të vendeve evropiane. Nuk është hera e parë që përfaqësues të BE-së bëjnë deklarata të tilla, të cilat janë thjeshtë për të ardhur keq dhe janë të papranueshme. Sepse nuk sjellin as demokraci as progres e as stabilitet as në vend e as në rajon”, deklaroi Baraliu në një prononcim për lajmi.net.

“Ajo që po bëjnë strukturat e BE-së, duke përkrahur veprimet e Serbisë dhe praktikat që nuk janë në përputhje me sistemin tonë kushtetues dhe juridik, kjo jo që si bën nder BE-së, por tregon për shthurjen e saj dhe qëndrimet anakronike të tyre në relacion me Kosovën dhe favorizimin e Serbisë edhe atëherë kur nuk ka të drejtë dhe dëmton sistemin tonë kushtetues e juridik”.

Mes tjerash, Baraliu potencoi se jo vetëm Stefanoviqi por të gjithë ata zyrtarë të punësuar në institucionet e Kosovës të cilët kanë marrë pjesë në takimin e thirrur nga Vuçiqi, duhet të suspendohen “pa asnjë epilog”.

“Ata zyrtarë duke marrë pjesë në takim me presidentin serb kanë bërë shkelje flagrante të Marrëveshjes së Brukselit. Ajo (Stefanoviq) i ka shkelur parimet elementare edhe të ligjit për gjykatat, por edhe parimet dhe dispozitat e asaj që po e quajnë Marrëveshje e Brukselit, që asnjëherë nuk është respektuar nga Serbia. Të gjithë zyrtarët që kanë marrë pjesë atje duhet të suspendohen pa asnjë epilog sepse kanë bërë shkelje të detyrave të tyre”, deklaroi ai.

Në fund, Baraliu tha se Qeveria e Kosovës është më shumë se që duhet tolerante, por duhet të jetë më këmbëngulëse dhe të mos bëjë kompromise kur cenohet sovraniteti i vendit.

Por, ndryshe mendon Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi.

Sipas tij, deklarata e BE-së është kritikë e ashpër ndaj presidentit Vuçiq dhe autoriteteve serbe, “të cilët me veprime të një anshme në javët e fundit janë duke e minuar marrëveshjen për drejtësi”.

“Deklarata e potencon në mënyrë të qartë se gjykatësit, prokurorët dhe policët serbë të integruar në sistemin juridik të Kosovës e kanë për obligim kushtetues dhe ligjor të zbatojnë dhe respektojnë ligjet e republikës së Kosovës. Sikurse, njeh të drejtën e Këshillit Gjyqësor për të marr masa ndaj secilit gjykatës që nuk respekton ligjet e Kosovës, si në rastin konkret të kryetares së Gjykatës Themelore në Mitrovicë”.

“Bashkimi Evropian përderisa njeh dhe respekton vendimin e fundit të KGJK, në të njëjtën kohë me të drejtë pret nga Këshilli Gjyqësor që të zbatoj ligjin, procedurën në mënyrë të drejtë, pavarur dhe të paanshme”, tha Miftaraj në një përgjigje me shkrim për lajmi.net.

Tutje, ai tha se kjo deklaratë “si duket ka pasur ndikimin e saj, pasi që përkundër faktit se gjykatësit serbë kanë hyrë në grevë, kjo nuk po ndodh edhe me prokurorët serbë dhe stafin administrativ të cilët janë duke kryer detyrat dhe përgjegjësitë e tyre sipas obligimeve që dalin nga Kushtetuta dhe ligjet e Kosovës”.

Lajmi.net ka dërguar pyetje edhe në adresë të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, për të kuptuar se në çfarë faze janë hetimet ndaj Liljana Stefanoviqit dhe se për çfarë periudhe është suspenduar, por të njëjtit kanë thënë se “të gjitha veprimet që do të ndërmerr KGJK-ja lidhur më këtë çështje, ju do të njoftoheni” ./Lajmi.net/