Theo për ndeshjen ndaj Inter: Luajtëm mirë, ka edhe një ndeshje për të kapur finalen

Theo Hernandez ka dhënë komentet e tij pas ndeshjes Milan – Inter.

Sport

02/03/2022 07:42

Milan dhe Inter u përballen mbrëmë në ndeshjen e parë të gjysmëfinales së Kupës së Italisë, duke u ndarë baras pa gola 0:0.

Pas ndeshjes, disa komente për përballjen dha mbrojtësi francez i krahut të majtë, Theo Hernandez, i cili beson se ‘Rossoneri’ luajtën më mirë. Ai shton se duhet fokus i madh për ndeshjen e kthimit, për të kapur finalen.

“Ne luajtëm një lojë të mirë, e dinim se ishte e vështirë, por ka edhe një tjetër ndeshje për të luajtur, kështu që mund të prekim finalen”, ka thënë Theo për ‘Mediaset’, transmeton lajmi.net.

“Ne po japim gjithçka, duke punuar ditë pas dite dhe duke bërë një sezon të jashtëzakonshëm. Ne duhet të vazhdojmë kështu dhe të fitojmë”, shtoi francezi.

“Ne kishim shanse për të shënuar. Është e vërtetë që nuk mund të fitojmë pa shënuar, por luajtëm mirë dhe tani presim për ndeshjen e dytë”, ishin fjalët e mbrojtësit të majtë.

Para ndeshjes së kthimit ndaj Inter, ‘Rossoneri’ vizitojnë Napolin këtë vikend në Serie A, në garën për ‘Scudetto’. /Lajmi.net/