Plagosja e mbrëmshme në Prishtinë, kjo është gjendja shëndetësore e viktimës

Personi i cili mbet i plagosur në mbrëmjen e së shtunës në Prishtinë, tashmë është në gjendje të mirë shëndetësore.

Lajme

13/02/2022 11:58

Këtë për Lajmi.net e ka konfirmuar, Doktor Armend Elshani, i cili thotë se operimi është kryer me sukses, shkruan lajmi.net.

“Ka qenë një plagë me armë zjarri, operacioni është realizuar dhe kryer me sukses. Gjendja e pacientit është stabile, është e mirë”, është shprehur Elshani.

Sipas tij, pas përfundimit të këtij operimi pacienti është dërguar në Klinikën e Urologjisë, për trajtim të mëtutjeshëm.

Ndërkaq, në lidhje me rastin Policia e Kosovës ka njoftuar se është arrestuar një i dyshuar.

Sipas raportit 24 orësh të policisë thuhet se i dyshuari është dërguar në mbajtje me urdhër të prokurorit.

“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që i njëjti ka shtënë me armë zjarri në drejtim të viktimës mashkull kosovar, të cilit i ka shkaktuar lëndime. Deri te rasti ka ardhur pas një mosmarrëveshje që kishin mes vete. Viktima është dërguar në QKUK për tretman mjekësor nën përkujdesje policore”.

“I dyshuari është arrestuar dhe me urdhër të prokurorit është dërguar në mbajtje”, thuhet në raport. /Lajmi.net/