Sacchi komenton ‘Derby della Madonnina’: Inter bëri atë që bëjnë të gjitha skuadrat italiane

Një nga trajnerët më të mirë italian në histori (nëse jo më i miri), Arrigo Sacchi ka komentuar derbin e mbrëmshëm mes Inter dhe Milan.

Sport

06/02/2022 15:43

Inter humbi një derbi të cilin ishte duke e udhëhequr pas pjesës së parë. Gjithçka ndodhi shpejt, me dy gola brenda tre minutave nga Olivier Giroud.

Sacchi beson se Brahim Diaz ndryshoi lojën, por edhe Maignan ishte heroi. Sipas Sacchi, Inter gaboi kur bëri atë që bëjnë të gjitha skuadrat italiane.

“Inter bëri atë që bëjnë të gjitha skuadrat italiane: një herë në epërsi dhe pastaj në vend se të shikohet për nokautin, ata mendojnë për të menaxhuar ndeshjen dhe ngadalësojnë ritmin. Kjo nuk është e mirë. Duhet të sulmosh dhe të kesh kurajo për 90 apo më shumë minuta”, ka thënë Sacchi, transmeton lajmi.net.

“Me Diaz, Milan ngarkuar Brozovic që duhej të ndiqte një lojtar, në vend se të ndjekej nga Kessie. Ata vendosën mirë mesfushën dhe në zonën e tretë të fushës Diaz ishte një rrezik, ai pranonte topa në zona të rrezikshme”, ka shtuar ish-trajneri italian.

“Nuk e kuptoj pse Inter lëshoi presingun ashtu. Giroud vendosi ndeshjen aq sa Maignan. Për mua portieri ishte më i miri”, ishin fjalët e Sacchi.

Me fitoren e mbrëmshme gara në Serie A është rihapur dhe rivaliteti ndizet përsëri në maksimum. /Lajmi.net/