RTV21 në proces gjyqësor me AKP-në për shkelje të procedurave të likuidimit

Siç është parë në ekranin e programit të RTV21, tashmë 75 ditë ishte vendosur numërimi mbrapsht me të cilin paralajmëronim se sa ditë kanë ngelur deri tek dita e përcaktuar nga Agjencia Kosovare e Privatizimit për lirimin e hapësirave të Pallatit të Mediave ku përveç RTV21, janë vendosur edhe mediumet Zëri dhe Kosova Live.

Lajme

31/01/2022 21:22

Ky vendim i Agjencisë Kosovare të Privatizimit, ka ardhur sipas kërkesës së Ministrisë të Punëve të Brendshme e cila ka arsyetuar se i nevojiten hapësirat për nevojat e saj. RTV21 ka ngritur padi ndaj Agjencisë Kosovare të Privatizimit për shkelje të vazhdueshme gjatë procedurës se likuidimit të pronës në të cilën gjendet RTV21.

Investimet shumëvjeçare nuk janë marrë parasysh prandaj procedura gjyqësore është në proces. Në këtë rast RTV21 pret nga Gjyqësori vendim i cili mbron investitorin dhe nuk zhvlerëson investimet shumëvjeçare nga ana e RTV21. Në ndërkohë të detyruar për të liruar objektin, RTV21 në pamundësi të zhvendoset në afat rekord prej dy muajsh, ka negociuar me Ministrinë e Brendshme me ç’rast është shtyrë vendimi për lirimin e hapësirës deri më 31 maj të këtij viti.

RTV21 në Pallatin e Mediave gjendet tashmë 20 vjet, ku ka paguar qira mujore si dhe ka bërë investime të jashtëzakonshme në këto hapësira. Vendimi i Agjencisë Kosovare të privatizimit për largimin nga këto hapësira të mediave, pos RTV21, edhe Zërin dhe Kosova Live, konsiderojmë se është atak ndaj mediave të lira dhe profesionale në Kosovë. Ky vendim nuk i kontribuon zhvillimit të demokracisë dhe minon rolin e mediumeve në zhvillimin e vendit.

Për këto veprime dhe shkelje, janë informuar Presidentja e Kosovës, Kryetari i Kuvendit, Kryeministri si dhe institucionet e BE, Quinti dhe shoqëria civile. Nga udhëheqësit e Institucioneve kosovare nuk ka pasur asnjë reaksion të drejtpërdrejt apo publik.