Komuna e Prishtinës tregon çka ka ndërmarrë për zgjidhjen e problemit të qenve endacak
Komuna e Prishtinës ju njofton se me nënshkrimin e kontratës emergjente, me datë 18 janar 2022, për trajtimin e qenve endacak për vitin 2022, ka filluar zbatimi i kontratës që nga fillimi i kësaj jave, me ç ‘rast është trajtuar një numër i konsiderueshëm i qenve endacak të koncentruar në apo përreth Parkut te Gërmisë.
Lajme
Kontrata siguron vazhdimin e trajtimit të tyre, përfshirë kapjen, sterilizimin vaksinimin dhe lëshimin (metoda KSVL), por edhe kontrollin, ushqimin, identifikimin dhe hospitalizimin e qenve. Gjithashtu, është marr vendimi që nga numri ekzistues prej pesë pikave ushqyese, në afat prej 7 ditëve të rritet numri në njëzetë e tri pika, me mundësi zgjerimi, gjithherë bazuar në nevojat konkrete.
Duhet theksuar se Komuna e Prishtinës në krye me Kryetarin Rama, ka filluar koordinimin me të gjitha palët e interesuara, si vendore ashtu edhe ndërkombëtare, për te filluar procesin e zgjidhjes përfundimtare. Është zhvilluar një strategji e brendshme, e cila do të diskutohet me akterët institucional po ashtu edhe me organizatat joqeveritare dhe individët e organizatat profesionale, në mënyrë që strategjia të jetë e pranueshme për të gjithë. Janë iniciuar procedurat e hapjes se një Qendre për trajtimin e qenve. Kjo qendër do të ofrojë shërbime për trajtimin jo vetëm të qenve endacak, por gjithashtu edhe kujdesin, trajnimin, socializimin e qenve me pronar. Janë zhvilluar takime me nivelin qendror të qeverisjes në mënyrë që aspektet koordinuese me këtë nivel të thellohen, pasi qe ky koordinim dhe bashkëpunim është i domosdoshëm në mënyrë qe strategjia dhe qasja ndaj qenve endacak te rezultoi e suksesshme, në veçanti sa i përket projektit të regjistrimit me vathë e mikroçipa të qenve, por edhe kontrollit te mbarështimit, riprodhimit, si dhe organizimit të fushatave për vetëdijesim.Gjithashtu, ju njoftojmë se të premten, me datë 28 janar, duke filluar nga ora 09:30, Komuna e Prishtinës organizon tryezë të rrumbullakët me përfaqësuesit e BE-së, organizata joqeveritare, si dhe akterë të tjerë profesional të fushës mbi strategjinë kornizë për trajtimin e qenve endacak.