Ndizet alarmi, forca të shumta policore tek objekti i Bankës Qendrore të Kosovës

Forca të shumta të Policisë së Kosovës mbrëmë u gjendën në objektin e Bankës Qendrore të Kosovës.

Lajme

11/01/2022 08:34

Arsyeja e gjithë kësaj ishte ndezja e alarmit në objektin e këtij institucioni.

Burime të lajmi.net bëjnë të ditur se alarmi kishte bërë që brenda këtij institucioni të arrinte edhe vetë Guvernatori i BQK-së dhe zyrtarë të shumtë policorë.

Pas shumë kontrolleve për disa orë radhazi u kuptua se e gjithë kjo kishte të bënte vetëm me një problem teknik brenda objektit.

Madje një gjë e tillë është konfirmuar edhe nga vetë zyrtarët e BQK-së.

Kushtrim Ahmeti, zëdhënës i Bankës Qendrore të Kosovës ka thënë për media se ka pas mundësi që kishte rrjedhje të ujit diku e të ketë mbetur ndonjë dritare hapur apo diçka e ngjashme që ka çuar më pas në ndezjen e alarmit.

“Kur erdha unë gjithçka ishte qetë, nuk është se ka pasur diçka”, tha ai.

E nga ky alarm është publikuar edhe një video në rrjetet sociale./Lajmi.net/