Vrasja e rëndë në Gllogjan, Gjykata merr vendim për tre të akuzuarit
Gjykata Themelore në Pejë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Pejë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve H.M, K.M dhe M.M, për shkak të dyshimit të bazuar se të njëjtit kanë kryer vepër penale vrasje e rëndë dhe vepër penale mbajtja në pronësi, kontroll apo posedim kontroll apo posedim të paautorizuar të armëve.

Lajme
Të pandehurve H.M, KM dhe M.M iu është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh pasi që gjykata vlerësoi se ekziston dyshimi se të njëjtit i kanë kryer veprat penale për të cilat dyshohen.
“Gjykata ka aprovuar propozimin e prokurorisë për caktim të paraburgimit duke pas parasysh dënueshmërinë e lartë të veprës penale nga neni 173 i KPRK-se, faktit se ende nuk janë dëgjuar dëshmitarët dhe të dëmtuarit, fakti se bëhet fjalë për të pandehur që kanë lidhje familjare si dhe duke pas parasysh peshën e veprës dhe rrethanat në të cilat është kryer vepra dhe pasojat e mëdha të shkaktuar me këtë rast, rrethana këto që tregojnë rrezikun real se me gjetjen e mundshme të pandehurve në liri apo nën një masë tjetër të sigurisë, të njëjtit do të arratisen, do të ndikojnë në dëshmitar ose të dëmtuar, të fshehin prova si dhe të bashkërendojnë mbrojtjen e tyre dhe me ketë të pamundësojnë zbardhjen e plote te rastit”, thuhet në njoftimin për media.
Gjykata sipas detyrës zyrtare vlerësoi edhe masat tjera alternative për sigurinë e pranisë së të pandehurve në procedurë mirëpo, gjeti se në ketë fazë të procedurës asnjë masë tjetër alternative nuk do të ishte e adekuate.
Duhet përkujtuar që nga vrasja e kryer në Gllogjan, më 26 nëntor humbën jetën drejtuesi i autobusit si dhe dy nxënës të cilët po ktheheshin nga shkolla.
Vrasja në fjalë është cilësuar si një nga vrasjet më të rënda në Kosovën e pasluftës./Lajmi.net/