Stadiumi në gjendje të tmerrshme, Hyseni do takohet me përfaqësuesit e Dritës dhe Gjilanit për të gjetur zgjidhje

Stadiumi i Gjilanit vazhdon të jetë në gjendje të tmerrshme.

Sport

12/12/2021 18:56

Në “stadiumin e qytetit”, ku i zhvillojnë ndeshjet si vendas dy skuadra, pra Drita dhe Gjilani, vazhdon problemi i njëjtë me kushtet e tmerrshme, shkruan lajmi.net.

Në ndeshjet e fundit, lojtarët kanë luajtur në ‘lloq’, gjë që assesi nuk duhet të ishte as problem, duke marrë parasysh se dy skuadrat kosovare synojnë pjesëmarrjen në garat evropiane.

Por, kryetari i komunës së Gjilanit, Alban Hyseni ka premtuar se gjatë javës në vijim do takohet me përfaqësuesit e dy klubeve që të gjejnë sa më parë zgjidhje për rregullimin e stadiumit.

Postimi i plotë pa ndërhyrje:

“Këtë fundjavë, vendosa t’ia dedikoj sportit dhe në veçanti ndjekjes së ndeshjeve të ekipeve të qytetit tonë: Gjilanit dhe Dritës. Fitoret e tyre respektivisht kundër Ballkani F.c dhe KF Ulpianës, i siguruan dy vendet e para në Superligë, në mbarim të dy fazave të kampionatit.

Duke i përcjellë ndeshjet e dy ekipeve me të cilat krenohet qyteti jonë, është e dukshme që ne nuk e meritojmë gjendjen në të cilën ndodhet stadiumi i qytetit. Drita dhe Gjilani po na përfaqësojnë denjësisht, andaj është e domosdoshme zgjidhja e çështjes së stadiumit.

Për këtë, gjatë javës në vijim, kam vendosur të pres në takim përfaqësuesit e klubeve dhe tifozëve për të diskutuar rreth kësaj çështjeje. Kjo problematikë do gjejë zgjidhje, e skuadrat e qytetit të Gjilanit do mund të luajnë në kushte dinjitoze, për të na përfaqësuar pastaj dhe denjësisht në kupat evropiane”, shkroi ai.

Ndërkohë, Gjilani dhe Drita pavarësisht gjendjes së tmerrshme me stadiumin, vazhdojnë të jenë ndër dy rivalët kryesorë për titull. Skuadra e Ismet Munishit e mbylli këtë edicion si lider me 35 pikë, një më shumë se nënkampioni i Kosovës, që renditët e dyta me 34 sosh./Lajmi.net/