Xhiro e fundit për sezonin vjeshtor në BKT Superligë fillon sot me tri ndeshje – vëmendja në Lipjan
Xhiro e fundit për sezonin vjeshtor në BKT Superligën e Kosovës fillon me tri ndeshje mjaft interesante të shtunën.

Sport
Vëmendja kryesore është tek dueli mes Llapit dhe Prishtinës që do të zhvillohet në stadiumin “Sami Kelmendi” në Lipjan nga ora 13:00.
Ndeshja në fjalë si fillim ishte planifikuar që të zhvillohet në Merdarë, por për shkak të kushteve të terrenit, Komisioni i Garave ka vendosur që dueli në fjalë të luhet në Lipjan.
Prishtina vjen pas një humbje minimale ndaj Dritës në shtëpi, gjersa llapjanët u ndalën me barazim nga skuadra e Dukagjinit në udhëtim.
Ndeshja e parë e zhvilluar në kryeqytet në këtë edicion mes dy skuadrave ka përfunduar me fitoren e llapjanëve 2:1. Prishtina që tashmë drejtohet nga trajneri Abdulah Ibrakoviq, në atë takim është udhëhequr nga ish-trajneri Zekirija Ramadani.
Prishtina para këtij takimi ndodhet në pozitën e pestë me 24 pikë, kurse Llapi zë vendin e katërt me 26 sosh.
Dueli tjetër mjaft interesant pritet të jetë edhe ai mes Dritës dhe Ulpianës.
Drita i bën konak skuadrës nga Lipjani në stadiumin “Selami Osmani-BEZI” në Gjilan, duke filluar nga ora 13:00.
Drita vjen pas një fitore të madhe në udhëtim ndaj Prishtinës, teksa lipjanasit janë pa fitore në katër ndeshjet e fundit.
Gjilanasit pozicionohen në pozitën e tretë në kampionat me 31 pikë të mbledhura, një më pak se SC Gjilani, dhe dy më pak se lideri Ballkani, gjersa Ulpiana gjendet në pozitën e tetë me 18 pikë të mbledhura.
Dueli i tretë përmbyllës i kësaj të shtune është derbi lokal mes Feronikelit dhe Drenicës që do të zhvillohet në “Rexhep Rexhepi” në Drenas nga ora 13:00.
Drenica ka humbur secilën nga gjashtë ndeshjet e fundit në kampionat, teksa Feronikeli janë në një ecuri edhe më dobët pasi në xhiron e fundit morën pikën e parë në superligë pas një ecurie prej tetë humbjeve radhazi.
Drenica pozicionohet në pozitën e gjashtë me 20 pikë të mbledhura, ndërkohë Feronikeli gjendet e fundit në tabelë me 11 pikë të mbledhura. /Lajmi.net/