U bëhet thirrje prindërve që ta shfrytëzojnë të drejtën për t’i vaksinuar fëmijët mbi 12-vjet

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI) u ka bërë thirrje prindërve që ta shfrytëzojnë mundësinë për t’i vaksinuar fëmijët mbi 12-vjet, meqë kjo do t’i mbronte nga virusi korona.

Lajme

10/12/2021 13:39

Ndërkohë që po vlerësohet që përfundimi i pjesës së parë të këtij viti shkollor ka shkuar pa ndonjë problem të theksuar sa i përket pandemisë. Kështu ka bërë të ditur zëvendësministrja e MAShTI-it, Edona Maloku-Bërdyna në një konferencë për medie ku edhe u prezantuan projektet dhe marrëveshjet e arritura përgjatë këtyre javëve nga kjo ministri.

“Është fat i mirë që po shkojmë drejtë përfundimit të pjesë së parë të këtij viti shkollor pa ndonjë problem të theksuar përsa i përket situatës me pandeminë. Bazuar në të dhënat e inspektoratit të arsimit procesi arsimor në të gjitha institucionet e arsimit parauniversitar në Kosovë pop vazhdon të zhvillohet në mënyrë të rregullt. Pra, sipas skenarit rikthimi, që nënkupton prani fizike në shkollë me orar të plotë. Në të njëjtën kohë MASHT, ka vazhduar edhe mbështetjen financiare të nxënësve dhe studentëve”, tha ajo.

Maloku-Byrdyna ka treguar edhe se si bëhet vaksinimi i fëmijëve mbi 12-vjet.

“Por ajo që dimë në komunikim është se vaksinimi ka filluar dhe tani rekomandohet vaksinimi për fëmijët mbi 12-vjec, dhe ka dy mënyra të vaksinimit . E para është përmes ekipeve mobile nëpër shkolla me aprovimin e prindërve apo kujdestarëve ligjor të jepet aprovimi për vaksinim të fëmijëve dhe e dyta është që prindërit të shfrytëzojnë këtë të drejtë në qendrat e vaksinimit. Unë do të doja të bëja një thirre për të gjithë prindërit dhe kujdestarët ligjor që të shohin mundësit e shfrytëzimit të tyre sepse kjo është në të mirë të gjithë neve që shëndeti publik të mirëmbahet meqenëse jemi në një pikë të mirë pandemike”, tha zëvendësministrja Maloku-Bërdyna.

Maloku-Bërdyna në këtë konferencë për medie derisa tregoi për nënshkrimin e marrëveshjeve gjatë kësaj jave, bëri të ditur edhe se sot do të nënshkruhet edhe një marrëveshje me Rrjetin e Grave të Kosovës (RrGK) për bashkëpunim në fushën e edukimit dhe arsimit të ndjeshëm gjinor. Nënshkrimi i marrëveshjes bëhet në kuadër të 16 ditë aktivizim kundër dhunës në baza gjinore e kjo sipas zëvendësministres për të treguar përkushtimin si ministri që përmes edukimit dhe arsimimit të transformojnë normat dhe stereotipat gjinore dhe të avancohet barazia gjinore në vend.