Dyshime për zgjedhje të kundërligjshme të kryetares së Shoqatës së Pensionerëve të Prishtinës

Përzgjedhja e kryetares së re e Shoqatës së Pensionerëve të Prishtinës, Mybera Kosumi, po shihet si anti-statutare.

Lajme

08/12/2021 12:56

Në mbledhjen e mbajtur nga kjo shoqatë, në të cilën si pikë e pestë e rendit të ditës ishte edhe zgjedhja e kryetarit të ri, me shumicë votash është zgjedhur Kosumi si kryetare, shkruan lajmi.net.

Megjithatë, kundërkandidati i saj, Osman Vitija, ka shprehur pakënaqësitë e tij në këtë mbledhje, duke thënë se përzgjedhja e Kosumit është në kundërshtim me statutin e kësaj shoqate.

Siç e parasheh statuti, për kryetar të kësaj shoqate mund të garojnë personat që janë të moshës 65-vjeçare, derisa Kosumi ende nuk ka mbushur moshën e pensionimit.

“Nuk po më pëlqen organizimi i takimit ku mungon kryetari i Shoqatës së Pensionistëve të3 Kosovës. Të gjithë mobilizohen dhe kërkojnë diçka, derisa shoqata jonë hesht. Nuk na ka hije kështu. Po shkelet marzha statutare që është element bazik. Lidhur me këtë kandidim, unë do ta parashtroj ankesën në të gjitha instancat  gjyqësore”, ka deklaruar Vitija.

Në përkrahje të Vitisë kanë dalë edhe anëtarë të tjerë, të cilët e kanë cilësuar kandidimin e saj si shkelje të statutit të shoqatës. /Lajmi.net/