Kosova, vendi i mundësive: 111 vetura të tipit Mercedes AMG të regjistruara për këtë vit
Afro 150 vetura të linjës AMG të markës së veturave ‘Mercedes’ janë në total në pronësi të kosovarëve.
Lajme
Sipas të dhënave të siguruara nga lajmi.net nga Ministria e Punëve të Brendshme, numri i veturave të kësaj linje që janë regjistruar përgjatë vitit 2021 është 111, ndërsa totali i tyre është 148.
Në anën tjetër, në faqen e shpalljeve ‘MerrJep’ që mundëson shit-blerjen e produkteve, vetëm për një javë, respektivisht nga 1 deri me 8 dhjetor, janë regjistruar 40 shpallje për shitjen e veturave të linjës AMG.
Trendi i luksit në vetura është vërejtur edhe përgjatë mbylljes totale të vitit të kaluar si rezultat i pandemisë koronavirus.
Të dhënat e dërguara nga Dogana e Kosovës nga lajmi.net tregojnë se nga 1 janari i vitit të kaluar deri më 20 dhjetor në Kosovë janë importuar vetura në vlerë prej 59,225, 415 euro.
Luksi i veturave qëndron në disproporcion me pagën mesatare në Kosovë. Sipas Agjencisë së Statistika të Kosovës, pagat mesatare bruto në Kosovë sillen nga 450-470 euro.
Po ashtu, rroga minimale në vend është 150 euro, ndonëse është premtuar të ngritet në 250 sosh.
GDP-ja e Kosovës është vlerësuar të jetë si një ndër më të ulëtat në raport me vendet e rajonit. Në fundin e këtij viti, është paraparë që GDP-ja të rritet në 7.80 miliardë dollarë, gati 3 fish më pak sesa Shqipëria dhe tetëfish më pak se Serbia.
Çmimi i veturave të linjës AMG varion nga 10 mijë euro e sipër. /Lajmi.net/