Shpend Ahmeti në ditën e fundit si kryetar: Për 8 vjet përmirësuam jetën në Prishtinë
Kryetari në shkuarje i Prishtinës Shpend Ahmeti ka postuar në rrjetet sociale sukseset, të cilat sipas tij janë arritur gjatë mandatit të tij. Ai ka edhe një porosi për pasardhësin e tij të zgjedhur nga radhët e LDK-së Përparim Rama.
Lajme
Ahmeti thotë se gjatë kohës sa ishte në krye të Prishtinës kanë përmirësuar dukshëm jetën e qytetarëve.
Ai ka falënderuar të gjithë ata që e mbështetën dhe e kritikuan gjatë kësaj periudhe tetëvjeçare në krye të Prishtinës.
Postimi i plotë:
Sot e kam ditën e fundit në postin e Kryetarit të qytetit më të mire në botë, Prishtinës! Faleminderit për mbështetjen, kritikën, votën, votën kundër dhe për secilin kontribut që e keni dhënë për Prishtinën tone.
Kemi rrugëtuar bashkë. Për mua sigurisht se është përvoja kryesore e jetës.
Për tetë vite kemi përmirësuar dukshëm jetën në qytetin!
Sot kemi:
Shkolla më të mira dhe të digjitalizuara
Qendra më të të mira të Mjekësisë Familjare (mbi 2 milion shërbime në vit dhe reagimi mesatar I urgjencës është nën shtatë minuta)
Administratë më të shpejtë më të digjitalizuar (mbi 600 mijë certifikata të lëshuara nga aparatet tona vetëshërbyese)
Më shumë ndriçim e pastërti, e më shumë kanalizime të shtruara
Dhe dyfish (pak më shumë se dyfish) çerdhe të reja
Sot kemi:
Ujë 24 orë
Tension më të mire dhe stabil të rrymës
Ngrohje qendrore cilësore
Transport publik të ringjallur dhe në kompletim e sipër
Ndërtesa kolektive të riparuara e të shërbyera më shumë (mbi 500 hyrje) nga organet tona
Shërbim të parkingut që do ti sjellë Prishtinës të hyra për investime tjera
Sot kemi:
Më shumë ngjarje kulturore dhe trefish më shumë buxhet për kulturë
Më shumë ngjarje të mbështetura dhe organizuara nga Komuna e Prishtinës
Më shumë sportistë të mbështetur nga komuna
Dhe më shumë salla në shërbim të qytetarëve tonë
Sot kemi
Dy kuzhina popullore që shërbejnë çdo ditë shujta të ngrohta
Mbrojtje për gjashtë grupe të rrezikuara
Ndihmë për institucionet sociale
Më shumë mbrojtje për komunitetet minoritare
Më shumë mbrojtje për komunitetin LGBT
Dhe më shumë mbrojtje për pensionistët tone që I kanë tri qendra tani për qëndrim ditor, transport publik falas e beneficione të tjera
Më shumë strehim dhe
Qendrën e parë për Autizëm dhe Sindromën Down në Kosovë
Sot kemi
Më shumë vizita të turistëve
Organizimin e një prej bienaleve më të mëdha në Evropë – Manifesta në 2022
Kontratën e Sallës Koncertale dhe prokurimin e sallës së re të sporteve me dorë tek Stacioni I Autobusëve
Parkingun më të madh nëntokësor të ndërtuar deri më tani në Kosovë
Festivalin më të mirë në regjion Sunny Hill
Peizazhin më të madh të mbrojtur në Kosovë, Germinë të rritur nga 950 në 2000 hektarë
Ndër festivalet më të mira të grafiteve në Evropë
Sot
Prishtina është kryeqyteti më transparent në Evropë i shpallur nga Transparency International
Transparencë totale me 100 pikë që disa vite me radhë
Me shpenzime minimale për dreka darka e udhëtime
Luftë kundër korrupsionit nga brenda me vendime gjyqësore të plotfuqishme nga Gjykatat për shkelësit dhe pa skandale në ruajtjen e parasë publike në ofrimin e shërbimeve komunale
Administrate të barabartë gjinore me gjysmën e drejtoreve gra e femra
Raporte të auditimit të pakualifikuara për krejt këto vite
Dhe publikim të secilit dokument që komuna e Prishtinës e ka në mbajtje
Sot
Jemi më të sigurt me më pak krime e aksidente
Sot kemi të ngritura mbi 200 milion euro fonde për investime:
Financimin e Unazës (mbi 120 milion euro) për të cilin është prezantuar raporti final dhe dizajni final
Financimin e siguruar për Ngrohjen qendrore me panele solare (mbi 70 milionë) për lagjet me banim individual – projekti I dytë më i madh në Evropë i tillë pas Danimarkës
Financimin e 30 autobusëve shtesë (prej të cilëve 8 elektrik) në fazën e fundit të implementimit
Kontratat e nënshkruara për tri shkolla të reja në Veternik, Sofali e Mat, pasuar nga Arbëria me sistemin PFI
Sot jemi me projektin më të madh me donatorë në bujqësi në Llap e Gollak me qeverinë austriake
A do të thotë se këto mjaftojnë! Natyrisht se jo. Ka problem me ndërtim e planifikim, ka problem me qenë endacake e me trafik. Do të ketë problem në 2025 e 2029 sepse gjithmonë duhet të kërkojmë përmirësimin, edhe pse mundësitë financiare janë të vogla. Por me rëndësi është që sot jetohet një jetë shumë më e mire për shkak të përmirësimeve në tetë vitet e fundit në çdo fushë. Tash duhet të ketë edhe më shumë përmirësime.
Përparimin e njoh moti dhe e kam mik. Sa herë kam qenë në Londër më ka pritur e përcjellë. Më ka ndihmuar në çdo pyetje që kam pas dhe është angazhuar maksimalisht e vullnetarisht në ide urbanistike, si salla koncertale, Ulpiana, Qendra e Manifesta. Ka organizuar shumë gjëra për komunitetin shqiptar në Angli dhe këmbën nuk e ka larguar asnjëherë nga Kosova me punë, vullnetarizëm e ndihmë.
Atij i dëshiroj të gjitha të mirat. I kam thënë se nuk do t’i përzihem asnjëherë në punë, por do t’i përgjigjem për çdo kërkesë. Siç ka thënë Ali Zatriqi me rastin e pensionimit nga televizioni kur i është dhuruar një orë dore – unë që po dal po e di sa është sahati po ju që po mbeteni.
Ju falënderoj çdonjërin për ndihmën, falënderoj çdo drejtor nga të dy mandatet, çdo shërbyes civil të komunës së Prishtinës, çdo të angazhuar në çdo formë, prej pastruesit të vlefshëm të qytetit e deri kuzhinieret në kuzhinën qendrore, puna juaj është më e vlefshme se e jona.
Falënderoj mediat për monitorimin e vazhdueshëm që na e kanë bërë. Na kanë bërë më të mirë.
Falënderoj nënkryetarët Muhedinin e Selimin! E Kryesuesit Halim Halimi, e Agim Kuleta!
Falënderoj Lëvizjen Vetëvendosje dhe secilin aktivist që ka punuar që unë të zgjidhem kryetar, me theks të veçantë tek dy vëllezërit kyç në fitoren tone, Arbënor e Astrit Dehari.
Falënderoj çdo asamblist që na ka mbështetur e na ka kundërshtuar dhe partitë e tyre, AAK-në, AKR-në dhe LB që i kemi pasur në koalicion e edhe LDK-në e PDK-në që kanë qenë në opozitë.
Falënderoj PSD-në që më dhanë mbështetjen në kohët më të vështira.
Falënderim mjekëve për punën e jashtëzakonshme gjatë Covidit dhe angazhimin e tyre maksimal.
Ekipin e jashtëzakonshme që s’po i përmendi me emra në kabinet e drejtori. Më përkrahët, më mbrojtët e ruajtët dhe I qëndruat presioneve.
Posaçërisht e falënderoj mikun tim dhe bashkudhëtarin tim politik Dardan Sejdiu pa të cilin nuk do t’i bënim këto punë e as nuk do të isha këtu dy mandate.
Dhe në fund falënderim Ardianës Teas dhe Anrit që më duruan apo që duruan mos prezencën time në shtëpi, e Ardianën edhe më shumë për punën vullnetare që ka bërë në Komunë në plot projekte. Nënën dhe vëllain tim për mbështetjen tërë kohën dhe asistentin tim Xili Ismaili që e ka bartur përgjegjësinë e të qenit kryetar e të bërtiturën time të vazhdueshme.
Kërkoj falje nga secili qytetar për shqetësimet që mund t’ua kem shkaktuar me vendimet politike. Kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë me qëllim të mire. Dëshira jonë dhe puna jonë ka qenë gjithmonë me qëllim të rritjes së cilësisë së jetës duke ruajtur qeverisjen e pastër dhe të drejtë.
Ju duhet të kërkoni edhe më shumë. Për mua ishte kënaqësi të jem në shërbimin Tuaj! Përherë e përjetë do të jem shërbëtor i qytetit në çdo formë që kam mundësi. Të dua Prishtina! Ju dua, prishtinas!