Receta e një mëngjesi të lehtë dhe plot vlera ushqyese

Me tre përbërës të thjeshtë që çdo kush i ka në kuzhinë, pa humbur aspak kohë fiton një shije të plotë që të kënaq jo vetëm oreksin por gjithë organizmin.

Lifestyle

02/11/2021 15:40

Vakti i mëngjesit është vakti kryesor dhe më i rëndësishmi përsa i përket fuqisë që duhet të ketë organizmi përgjatë gjithë ditës. Konsumimi i një mëngjesi të shëndetshëm i ofron organizmit energjitë e duhura për të qenë aktiv dhe i gjallëruar.

Sidomos tani që dimri ka hyrë dhe temperaturat po zbresin përditë e më shumë, një mëngjes i ngrohtë me pak përbërës por me plot vlera do të ndihmonte organizmin për të qenë në formë gjatë gjithë ditës.

Më poshtë jepet një sugjerim për mëngjes të lehtë, të shijshëm e mbi të gjitha të shëndetshëm. Me tre përbërës të thjeshtë që çdo kush i ka në kuzhinë, pa humbur aspak kohë fiton një shije të plotë që të kënaq jo vetëm oreksin por gjithë organizmin.

Çaj mali, djathë dhe bukë e thekur

Ky mëngjes përgatitet krejt lehtë dhe shpejtë duke mos marrë aspak kohë. Mjafton të thekni disa feta bukë. Mund t’i marinoni me pak kripë, rigon e vaj ulliri. Prisni disa feta djathë për të shoqëruar bukën e thekur. Ndërkohë përgatisni çajin e malit, të cilin nëse preferoni mund ta ëmbëlsoni me pak mjaltë.

Vlerat e çajit të malit

Ky mëngjes i thjeshtë por i shijshëm është nisja e duhur e një dite të mbarë të shëndetshme. Çaji i malit është aset që natyra i ka dhuruar njeriut për ta ndihmuar në mirëqenien e organizmit. Sipas të dhënave, çaji i malit shqiptar ka efekte të fuqishme në forcimin e imunitetit.

Ai ndihmon për një tretje shumë të mirë ndërsa lufton alergjitë, astmën, dhimbjet e kokës dhe sinozitin. Çaji i malit ka gjithashtu një fuqi të jashtëzakonshme në trajtimin e sëmundjeve të të ftohtit. Gripi, dhimbjet e fytit, kolla apo dhimbjet e kraharorit trajtohen më së miri përmes çajit të ngrohtë të malit. /Lajmi.net/