Hapet drita jeshile, cila është vaksina më e sigurt për fëmijët 5-11 vjeç?

Komisioni i pavarur këshillimor i Administratës amerikane të Ushqimit dhe Barnave miratoi dhënien e vaksinës Pfizer-BioNTech për Covid-19 për fëmijët e moshës 5-11 vjeç, shkruan VOA. Rastet e rënda ose vdekjet nga Covid-19 janë të rralla mes fëmijëve më të vegjël, por shefi i vaksinave i FDA-së, dr. Peter Marks, i tha panelit të martën se…

Fun

28/10/2021 16:31

Komisioni i pavarur këshillimor i Administratës amerikane të Ushqimit dhe Barnave miratoi dhënien e vaksinës Pfizer-BioNTech për Covid-19 për fëmijët e moshës 5-11 vjeç, shkruan VOA.

Rastet e rënda ose vdekjet nga Covid-19 janë të rralla mes fëmijëve më të vegjël, por shefi i vaksinave i FDA-së, dr. Peter Marks, i tha panelit të martën se 1.9 milionë fëmijë të grupmoshës 5 deri në 11 vjeç kanë rezultuar pozitivë dhe 8,300 janë shtruar në spital në Shtetet e Bashkuara, transmeton lajmi.net.

Nga ata që u shtruan në spital, një e treta kishte pasur nevojë për kujdes intensiv dhe afro 100 vdiqën.

Zyrtarët thanë se shpresojnë që miratimi i vaksinës për fëmijët, dozat e së cilës do të jenë sa një e treta e atyre për të rritur, të ndihmojë në mbylljen e një hendeku të gjerë në fushatën e vaksinave në SHBA që ka shqetësuar prindërit, mësuesit dhe drejtuesit e shëndetit publik.

Rregullatorët thanë se vaksinimi mund të fillojë javën e ardhshme.

Javën e kaluar, Shtëpia e Bardhë tha se ka siguruar vaksina të mjaftueshme për 28 milionë fëmijët në Shtetet e Bashkuara.

FDA do ta marrë vendimin e saj në ditët e ardhshme. Në varësi të miratimit, komisioni i pavarur këshillues i Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) pritet ta shqyrtojë propozimin javën e ardhshme.

Ndërkohë, kompania farmaceutike me bazë në SHBA Moderna tha se një provë klinike tregoi se një dozë e përgjysmuar e vaksinës së saj për Covid-19 ishte e sigurt për fëmijët e moshës 6 deri në 11 vjeç.

Kompania thotë se vaksinoi më shumë se 4.700 fëmijë me dy doza me rreth 28 ditë diferencë. Rezultatet paraprake tregojnë se nivelet e antitrupave tek fëmijët ishin të njëjtat me ato të vërejtura tek të rinjtë, që morën dozën e plotë të vaksinës.

Moderna thotë se fëmijët patën efekte të lehta anësore nga vaksina si lodhje, dhimbje koke, ethe dhe dhimbje në vendin e injektimit. Numri i subjekteve të testimit ishte shumë i vogël për të zbuluar ndonjë efekt anësor të rrallë si miokarditi, një inflamacion i zemrës, i cili është zbuluar kryesisht tek djemtë e vegjël, ose të rinj që kanë marrë ose vaksinën Moderna ose Pfizer.

Moderna thotë se së shpejti do t’ia prezantojë rezultatet e studimit Administratës së Ushqimit dhe Barnave (FDA) dhe rregullatorëve të tjerë globalë të barnave. FDA do të takohet të martën për të shqyrtuar një aplikim nga Pfizer dhe partneri i saj me bazë në Gjermani, BioNTech, për miratimin e vaksinës për fëmijët nga 5 deri në 11 vjeç. /Lajmi.net/