Pse ata që punojnë natën janë më të rrezikuar nga sëmundjet e zemrës?
Ky studim i ri, i mbështetur nga Këshilli i Kërkimeve Mjekësore dhe Nisma “Blue Sky” e kompanisë AstraZeneca, tregon se ritmet cirkadiane brenda secilës qelizë të zemrës, mund të ndikojnë gjithashtu në rrahjet e zemrës.
Lifestyle
Një studim i ri tregon sesi ritmet cirkadiane të qelizave të zemrës ndihmojnë në ndryshimin e funksionit të zemrës gjatë ditës, dhe mund të shpjegojë arsyen se pse punonjësit që punojnë në turnet e natës preken më së shumti nga problemet e zemrës, shkruan Bota.al.
Shkencëtarët kanë treguar për herë të parë se qelizat e zemrës i rregullojnë vetë ritmet e tyre cirkadiane, nëpërmjet ndryshimeve të përditshme në nivelet e joneve të natriumit dhe kaliumit brenda qelizës, transmeton lajmi.net.
Nivelet e ndryshme të joneve të natriumit dhe kaliumit brenda dhe jashtë qelizave të zemrës, krijojnë impulsin elektrik që shkakton tkurrjen e tyre dhe nxit rrahjet e zemrës.
Deri më sot përqendrimet e joneve mendohej se ishin konstante. Por tani shkencëtarët kanë zbuluar se qelizat e zemrës i ndryshojnë nivelet e tyre të brendshme të natriumit dhe kaliumit gjatë ditës dhe natës. Kjo bën që zemra të përshtatet më mirë dhe të ruajë ritmin e rritur të zemrës kur ne jemi fizikisht aktivë.
Dihet tashmë se në qelizat e zemrës dhe indet e tjera ka orë të përditshme; që janë normalisht të sinkronizuara nga sinjalet hormonale që harmonizojnë ritmet tona të brendshme ditore me ciklin e ditë dhe atë të natës. Ritmet e përditshme të funksionit të zemrës, njihen prej vitesh dhe mendohet se ato ekzistojnë për shkak të stimulimit më të madh nga sistemi nervor gjatë ditës.
Ky studim i ri, i mbështetur nga Këshilli i Kërkimeve Mjekësore dhe Nisma “Blue Sky” e kompanisë AstraZeneca, tregon se ritmet cirkadiane brenda secilës qelizë të zemrës, mund të ndikojnë gjithashtu në rrahjet e zemrës.
Ekipi, i udhëhequr nga shkencëtarët në Laboratorin për Biologjinë Molekulare në Kembrixh të Britanisë të Madhe, në bashkëpunim me AstraZeneca-n, thonë se të kuptuarit se si këto ndryshime në nivelet e joneve ndryshojnë funksionin e zemrës gjatë ditës, mund të ndihmojë në shpjegimin e arsyes pse punonjësit që punojnë në turnet e natës janë më të prekshëm ndaj problemeve të zemrës.
Kjo pasi ritmet jonike të drejtuara nga orët e zemrës dalin “jashtë sinkronizimit ”përgjatëstimulimit që pësojnë nga orët e trurit. Ky kuptim i ri mund të çojë në trajtime më të mira dhe në masa parandaluese për të luftuar sëmundjet e zemrës.
Autorja kryesore e studimit, Aleksandra Stangerlin, u habit kur zbuloi se nivelet e natriumit dhe kaliumit ndryshonin deri në 30 për qind në qelizat e izoluara dhe indet e zemrës.
Kjo ndryshon aktivitetin elektrik në këto qeliza. Tek minjtë, ky ndryshimit duket të jetë po aq i rëndësishëm për të kuptuar ndryshimet ditore në rrahjet e zemrës, siç është kontrolli nervor.Dr.Xhon O’Nil, nga Laboratori i Biologjisë Molekulare, që drejtoi studimin, thotë:
“Mënyrat sesi ndryshon funksionimi i zemrës gjatë gjithë kohës, rezultojnë të jenë më komplekse nga sa mendohej më parë. Sasia e joneve që kontribuojnë në normën e rrahjes së zemrës ndryshon gjatë ciklit ditor.
Kjo ka të ngjarë ta ndihmojë zemrën të përballojë kërkesat e rritura gjatë ditës, kur ndryshimet në aktivitet dhe prodhimin kardiak janë shumë më të mëdha se sa gjatë natës, kur ne zakonisht flemë. Kjo krijon mundësinë e trajtimeve më efektive për sëmundjet kardiovaskulare, për shembull për t`i marrë ilaçet në kohën e duhur gjatë ditës”. /Lajmi.net/